Kryediplomatja e BE-së paralajmëron se Rusia ka plan për agresion afatgjatë kundër Evropës - NACIONALE

Kryediplomatja e BE-së paralajmëron se Rusia ka plan për agresion afatgjatë kundër Evropës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rusia paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Bashkimit Evropian përmes akteve të sabotazhit dhe sulmeve kibernetike, por shpenzimet e saj masive ushtarake lënë të kuptohet se presidenti Vladimir Putin gjithashtu planifikon që t’i përdorë forcat e armatosura në vende të tjera në të ardhmen, paralajmëroi të mërkurën kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas.

“Rusia tashmë është kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj Bashkimit Evropian” – tha shefja e politikës së jashtme të BE-së. Ai përmendi një varg shkeljesh të hapësirës ajrore nga Rusia, ushtrimet ushtarake provokuese dhe sulmet ndaj rrjetit energjetik, gazsjellësve dhe kabllove nëntokësore, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Kallasi theksoi se Rusia tashmë është duke shpenzuar më shumë në mbrojtje se 27 shtetet e BE-së së bashku dhe këtë vit do të investojë më shumë “në mbrojtje se në kujdesin shëndetësor, arsim dhe politika sociale së bashku”.

“Ky është një plan afatgjatë për agresion afatgjatë. Ju nuk shpenzoni aq shumë në ushtri, nëse nuk planifikoni që ta përdorni atë” – tha Kallasi para eurodeputetëve në Strasburg të Francës.

“Evropa është nën sulm dhe kontinenti ynë shtrihet në një botë që po bëhet më e rrezikshme” – shtoi zyrtarja e lartë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se Rusia është duke prodhuar armë e municion për tre muaj aq sa 32 shtetet e aleancës prodhojnë së bashku për një vit. Ai beson se Rusia do të mund të ishte në gjendje që të niste një sulm ndaj një vendi të NATO-s nga fundi i kësaj dekade.

Me aktet e sabotazhit dhe sulmet kibernetike synohet kryesisht minimi i përkrahjes evropiane për Ukrainën, sipas ekspertëve dhe oficerëve ushtarakë.

Megjithatë, në Evropë po shtohet shqetësimi se Rusia do të mund ta testonte garancinë e sigurisë përmes Nenit 5 të NATO-s – zotimi se një sulm ndaj cilitdo shtet anëtar do të trajtohej me kundërpërgjigje nga të gjitha 32 vendet e aleancës.

Javën e kaluar, drejtori i shërbimit gjerman për inteligjencë të jashtme, Bruno Kahl, paralajmëroi kundër nënvlerësimit të synimeve ruse ndaj Perëndimit dhe NATO-s.

“Ne jemi shumë të sigurt dhe kemi dëshmi të inteligjencës për këtë, se Ukraina është vetëm një hap në rrugën drejt Perëndimit” – tha ai para disa ditëve, duke shtuar se qëllimi i Rusisë është që ta zgjerojë sferën e ndikimit drejt perëndimit./Nacionale

Lajme të ngjashme