Kryediplomati Schallenberg do të emërohet kancelar në detyrë i Austrisë - NACIONALE

Kryediplomati Schallenberg do të emërohet kancelar në detyrë i Austrisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg, të premten do ta marrë detyrën e kancelarit në detyrë të Austrisë nga Karl Nehammer-i, i cili dha dorëheqje, pasi bisedimet për një koalicion të partive të qendrës dështuan fundjavën e kaluar, tha të mërkurën zyra e presidentit Alexander Van der Bellen.

Të hënën, Van der Bellen e ngarkoi Partinë e Lirisë (FPO), e cila ka qëndrime të së djathtës ekstreme dhe e cila i ka fituar zgjedhjet parlamentare të shtatorit me 29 për qind të votave, me formimin e një koalicioni qeveritar pas dështimit të bisedimeve për një koalicion trepartiak e më pas për koalicion dypartiak pa FPO-në, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Qeveria e tanishme, e udhëhequr nga konservatorët, është duke shërbyer në kapacitetin e administratës në detyrë derisa të formohet një qeveri e re.

Dorëzimi i pozitës së kancelarit në detyrë te Schallenberg-u, i cili edhe më parë ka shërbyer si kancelar për dy muaj më 2021, do të bëhet të premten në orën 11:00, thuhet në deklaratën e zyrës së presidentit Van der Bellen.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Herbert Kickl, konfirmoi të martën në mbrëmje se e kishte telefonuar pasardhësin e përkohshëm të Nehammer-it si kryetar i Partisë së Popullit, Christian Stocker, për ta ftuar zyrtarisht këtë parti në bisedime për formimin e koalicionit.

Stocker-i pritet të japë një deklaratë për media në orën 14:00.

Në cilësinë e ministrit të Jashtëm, ai e kishte vizituar Kosovën në qershorin e vitit 2022.

Lajme të ngjashme