Krizë për punëtorë në Ukrainë, punësohen më shumë gra e adoleshentë
Pas kalimit të disa viteve në ato që ajo i përshkroi si role “të mërzitshme, pasive” në zyrat e disa kompanive ukrainase, Liliia Shulha e arriti punën e ëndrrave si vozitëse kamioni në kompaninë ukrainase “Fozzy Group”.
“Gjithmonë ëndërroja për veturat e mëdha. Në vend se të luaja me kukulla, vozisja vetura, kur ish fëmijë. Tani gjendja është e atillë, që ata marrin njerëz pa përvojë dhe i trajnojnë. Isha me fat” – i tha agjencisë “Reuters” 40-vjeçarja që e kishte veshur uniformën e kompanisë para një kamioni të madh.
Përderisa lufta me Rusinë po e shteron fuqinë punëtore, bizneset po mundohen që t’i mbulojnë mungesat kritike përmes punësimit të më shumë grave në role që tradicionalisht janë mbizotëruar nga burrat dhe gjithashtu po u kthehen adoleshentëve, studentëve e punëtorëve më të moshuar.
Kur miliona njerëz, kryesisht gra e fëmijë, ndodhen jashtë vendit pasi kanë ikur nga lufta dhe dhjetëra mijëra burra janë mobilizuar në ushtri, kriza për punëtorë mund ta rrezikojë rritjen ekonomike në rimëkëmbjen pas luftës, thonë analistët.
Ukraina ka humbur më shumë se çerekun e fuqisë punëtore që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, sipas të dhënave të Bankës Qendrore.
Gati 60 për qind e bizneseve thanë se gjetja e punëtorëve të kualifikuar është sfida kryesore, sipas një ankete të Ministrisë së Ekonomisë me mbi tre mijë kompani.
“Gjendja është vërtet kritike” – tha Tetiana Petruk, oficere e lartë për qëndrueshmëri në kompaninë e çelikut “Metinvest”, njëri nga punëdhënësit më të mëdhenj në Ukrainë me fuqi punëtore prej rreth 45 mijë vetave. Kjo kompani ka rreth katër mijë vende të lira pune.
“Mungesa e stafit që ne e ndiejmë ka ndikim në prodhimin tonë. Ne nuk jemi të vetmit që e ndiejmë mungesën e stafit, të gjitha kompanitë në rajon e ndiejnë këtë, përfshirë kontraktorët tanë” – shtoi ajo.
Agjencia “Reuters” foli me përfaqësues të nëntë kompanive ukrainase, nga firmat e mëdha industriale te grupet e shitjes me pakicë dhe ndërmarrësit e vegjël privatë. Të gjithë thanë se mungesa e stafit dhe mospërputhja në rritje e shkathtësive janë sfida të mëdha.
Bizneset thanë se po i ndryshonin taktikat e rekrutimit dhe të tregtisë, duke e automatizuar punën, duke bërë rotacion të stafit ekzistues dhe duke e zgjeruar përshkrimin e detyrave të punës, duke riangazhuar të pensionuar dhe duke ofruar më shumë përfitime, sidomos për punëtorët në moshë më të re./Nacionale/Nasuf Abdyli