Kritikuesi i NATO-s e lavdëruesi i Putinit shihet si fitues i balotazhit në Rumani - NACIONALE

Kritikuesi i NATO-s e lavdëruesi i Putinit shihet si fitues i balotazhit në Rumani

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rumunët do të votojnë të dielën në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale që mund ta sjellë fitoren e djathtistit ekstrem dhe kritikuesit të NATO-s, Calin Georgescu, kundër pro-evropianes Elena Lasconi, rezultat që mund ta izolojë Rumaninë në Perëndim dhe ta dobësojë mbështetjen e saj për Ukrainën.

Qendrat e votimit do të hapen në orën 5 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19, ndërsa “exit poll”-et për rezultatin pritet të dalin shpejt, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Georgescu, 62 vjeç, i cili presidentin rus, Vladimir Putin, e konsideron lider dhe patriot të vërtetë, i tronditi partitë tradicionale rumune dhe aleatët evropianë, kur doli fitues i rundit të parë të zgjedhjeve më 24 nëntor.

Analistët thonë se Georgescu fiton, një gjë e tillë do ta përmbyste politikën rumune, duke e shtyrë më afër një rripi të shteteve në Evropën Qendrore dhe Lindore me të djathtë ekstreme të fuqishme e me politikanë miqësorë ndaj Rusisë, përfshirë Hungarinë, Sllovakinë e Austrinë.

Sipas sondazheve, përkrahja publike për Georgescu-n është gati 60 për qind, por rreth 40 për qind e votuesve thonë se janë ende të pavendosur, prandaj është vështirë që gara të shpallet e mbyllur, thonë analistët.

“Është vështirë që të parashikohet rezultati. Nëse përjashtohet një mobilizim i madh nga të pavendosurit, ai do të fitojë” – tha Sergiu Miscoiu, profesor i shkencave politike në Universitetin Babes-Bolyai.

Georgescu e paraqet veten si figurë që e lufton klasën e korruptuar politike që është e mbërthyer nga interesat e huaja, porosi që u ka pëlqyer shumë votuesve të zemëruar me partitë tradicionale të konsumuara nga luftërat e brendshme dhe akuzat për ryshfet.

“Ne jemi mbështetur tek të tjerët për kohë shumë të gjatë, në vendimet e tyre, ushtritë e tyre, ushqimin dhe ekonominë e tyre. Kjo duhet të ndalet” – tha Georgescu në një shkrim në rrjete sociale të hënën.

Nëse zgjidhet president, ai do të vendosë se kush do ta bëjë përpjekjen e parë për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare të 1 dhjetorit./Nacionale

Lajme të ngjashme