Kremlini thotë se Ukraina duhet të jetë nervoze, nëse po kërkon raketa “Tomahawk” nga ShBA-ja
Kremlni tha të enjten se udhëheqësia e Ukrainës është qartazi nervoze për avancimet ruse përgjatë vijës së frontit, nëse Kievi po kërkon nga Shtetet e Bashkuara që ta furnizojë me raketa me rreze të gjatë, “Tomahawk”.
Gazeta “The New York Times” raportoi se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara raketa të tilla, të cilat kanë rreze veprimi prej 2.500 kilometrash, shumë më shumë se çfarëdo rakete tjetër që Ukraina tash për tash ka në arsenalin e vet, raporton agjencia “Reuters”.
Zelensky la të kuptohej në një video të publikuar të mërkurën se Kievi kishte bërë një kërkesë të tillë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, iu tha gazetarëve se është i qartë trendi në vijat e frontit të luftës, ku Rusia ka avancuar në tre muajt e kaluar me ritmin më të shpejtë në dy vjet.
“Kundër prapavijës së kësaj dinamike, regjimi i Kievit po fillon që të shfaqë nervozë të konsiderueshme” – tha ai.
E përditshmja e njohur amerikane tha se Zelensky kishte kërkuar nga ShBA-ja që t’i ofrojë raketa “Tomahawk” si pjesë e “planit të fitores”, që ai e ka paraqitur më herët këtë muaj, pjesë të të cilit ai atëherë kishte thënë se ishin sekrete.
Peskovi tha se planet e Ukrainës, qofshin sekrete apo jo, “në fund përfundojnë te tërheqja e shteteve perëndimore nga Kievi tërësisht në luftë deri në veshë sa më shpejt që është e mundshme dhe te legjitimimi i kësaj.”
“Të gjitha këto truke e kanë këtë qëllim përfundimtar. Kështu e shohim ne këtë” – shtoi zëdhënësi i Kremlinit./Nacionale