Kremlini thotë se Putini i pranoi disa nga propozimet e ShBA-së rreth Ukrainës
Kremlini tha të mërkurën se presidenti rus, Vladimir Putin, i pranoi disa propozime të Shteteve të Bashkuara që e kanë për qëllim përfundimin e luftës në Ukrainë dhe refuzoi disa të tjera, por se Rusia është e gatshme që të takohet me negociatorët amerikanë sa herë të jetë e nevojshme për të arritur një marrëveshje.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, foli pas bisedimeve mes Putinit dhe emisarit të posaçëm të Trumpit, Steve Witkoff, e dhëndrit të tij, Jared Kushner, të cilat zgjatën deri në orët e hershme të së mërkurës. Një ndihmës i Kremlinit tha më pas se “ende nuk janë gjetur kompromise”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kur u pyet nëse do të ishte korrekte që të thuhej se Putini i kishte refuzuar propozimet e Uashingtonit, Peskovi tha se jo.
“Një shkëmbim i drejtpërdrejtë i pikëpamjeve ndodhi dje për herë të parë. Disa gjëra u pranuan, disa gjëra u shënuan si të papranueshme – ky është një proces normal i punës për gjetjen e një kompromisi” – tha ai.
Sipas Peskovit, Rusia është mirënjohëse ndaj Trumpit për përpjekjet e tij, por se Kremlini nuk do të japë komente të vazhdueshme rreth diskutimeve me Shtetet e Bashkuara, pasi publiciteti ka pak gjasa që të jetë konstruktiv.
“Tani për tani është duke u bërë punë në nivelin punues të ekspertëve. Është niveli i ekspertëve aty ku duhet të arrihen rezultate të caktuara që më pas do të bëhen themel për kontakte në nivelin më të lartë” – tha më tej zëdhënësi i Kremlinit.
Një draft-propozim i paqes me 28 pika rrodhi në media muajin e kaluar, duke i alarmuar zyrtarët ukrainas e evropianë, të cilët thanë se plani përkulej para kërkesave të Moskës.
Fuqitë evropiane më pas dolën me një kundërpropozim, ndërsa në bisedimet e zhvilluara në Gjenevë, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina thanë se kishin hartuar një “kornizë të përditësuar dhe të përmirësuar të paqes” për t’i dhënë fund luftës./Nacionale