Kremlini thotë se Putini është i gatshëm për bisedë me Trumpin: Po presim sinjal nga ta - NACIONALE

Kremlini thotë se Putini është i gatshëm për bisedë me Trumpin: Po presim sinjal nga ta

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti rus, Vladimir Putin, është i gatshëm që të zhvillojë një bisedë telefonike me homologun e ri amerikan, Donald Trump, dhe Moska është duke pritur shenja nga Uashingtoni se edhe amerikanët janë të gatshëm për këtë, gjithashtu, tha të premten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Trumpi tha të enjten se dëshiron që të takohet me Putinin sa më shpejt që është e mundshme për ta siguruar përfundimin e luftës me Ukrainën dhe e shprehu dëshirën për të punuar drejt pakësimit të armëve bërthamore, diçka për të cilën Kremlini tha se edhe Putini ka bërë të qartë se e dëshiron, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kur u pyet nëse Putini dhe Trumpi do ta shfrytëzojnë këtë fundjavë për ta zhvilluar bisedën e parë telefonike mes tyre nga inaugurimi i Trumpit, Peskovi tha: “Putini është i gatshëm. Ne jemi duke pritur sinjale (nga Uashingtoni). Të gjithë janë të gatshëm. Është vështirë që të shikohet falli këtu. Porsa të ketë diçka, nëse ka diçka, ne do t’ju informojmë.”

Trumpi, i cili të shtunën iu drejtua Forumit Ekonomik Botëror në Davos përmes videolidhjes, tha se dëshiron që të punojë drejt pakësimit të armëve bërthamore, duke shtuar se mendon që Rusia dhe Kina mund ta mbështesin zvogëlimin e kapaciteteve të tyre të armëve.

“Ne do të donim që të shohim denuklearizim... dhe do t’ju tregoj se presidentit Putin vërtet i pëlqeu ideja e lëvizjes së dukshme prapa sa i përket armëve bërthamore dhe mendoj se pjesa tjetër e botës, ne do t’i kishim ata duke na ndjekur, dhe Kina gjithashtu do të kishte shënuar progres” – tha presidenti amerikan.

Peskovi tha se Putini kishte bërë të qartë se donte t’i vazhdonte bisedimet për çarmatosje bërthamore sa më shpejt që është e mundshme, por shtoi se bisedimet e tilla do të duhej të ishin më të gjera se në të kaluarën për të mbuluar arsenale bërthamore të shteteve të tjera, përfshirë ato të Francës dhe Britanisë.

“Pra ka diçka për t’u biseduar, duhet të bisedojmë. Koha është humbur në shumë aspekte. Ne kemi folur për interesim të tillë më parë, prandaj topi është në fushën e ShBA-së, e cila i ka ndërprerë të gjitha kontaktet përmbajtësore me vendin tonë” – tha zëdhënësi i Kremlinit./Nacionale

Lajme të ngjashme