Kremlini thotë se ndryshimi i politikës bërthamore të Rusisë është sinjal për Perëndimin
Kremlini tha të enjten se ndryshimet në doktrinën e armëve bërthamore të Rusisë, të përvijuara nga presidenti Vladimir Putin, duhet të konsiderohen si sinjal për shtetet perëndimore se do të ketë pasoja, nëse ato marrin pjesë në sulme ndaj Rusisë.
Putini tha të mërkurën se Rusia do të mund të përdorte armë bërthamore, nëse do të goditej me raketa konvencionale dhe se Moska do ta cilësonte si sulm të përbashkët secilin sulm ndaj saj që do të përkrahej nga një fuqi bërthamore, raporton agjencia “Reuters”.
Vendimi për ta ndryshuar doktrinën zyrtare bërthamore të Rusisë është përgjigjja e Kremlinit ndaj shqyrtimeve në Shtete të Bashkuara dhe Britani nëse Ukrainës duhet t’i jepet leje për të hedhur raketa konvencionale të Perëndimit në Rusi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se përshtatjet në një dokument të quajtur “Themelet e Politikës Shtetërore në Sferën e Parandalimit Bërthamor” janë formuluar.
Kur u pyet nga gazetarët nëse ndryshimet janë sinjal për Perëndimin, Peskovi tha: “Ky do të duhej që të konsiderohej si sinjal i qartë.”
“Ky është një sinjal që i paralajmëron këto shtete për pasojat, nëse ato marrin pjesë në një sulm ndaj vendit tonë me mjete të ndryshme, dhe jo patjetër me aso bërthamore” – tha Peskovi.
Sipas tij, bota është dëshmitare e një “ballafaqimi të pashembullt” që, sipas Peskovit, është provokuar nga “përfshirja e drejtpërdrejtë e vendeve perëndimore, përfshirë fuqitë bërthamore” në luftën e Ukrainës.
Më tej, Peskovi tha se një vendim për atë nëse dokumentet bërthamore do të publikohen apo jo, do të merret në një datë të mëvonshme.
Sipas doktrinës së tanishme bërthamore të Rusisë, e përcaktuar me një dekret të vitit 2020 nga Putini, Rusia mund të përdorë armë bërthamore në rast të një sulmi bërthamor nga një armik ose në rast të një sulmi konvencional që e rrezikon ekzistencën e shtetit./Nacionale