Kremlini thotë se linja e ashpër e Merz-it rreth Ukrainës rrezikon ta eskalojë luftën - NACIONALE

Kremlini thotë se linja e ashpër e Merz-it rreth Ukrainës rrezikon ta eskalojë luftën

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Kremlini e kritikoi të hënën kancelarin në ardhje të Gjermanisë, Friedrich Merz, për shkak të komenteve të tij, nga të cilat lihet të kuptohet se ekonomia më e madhe e Evropës mund të dërgojë në Ukrainë raketa me rreze të gjatë të tipit “Taurus”.

Merz-i, kur u pyet të dielën nga transmetuesi publik gjerman, ARD, nëse do ta furnizojë Ukrainën me raketa “Taurus”, tha se do ta shqyrtojë këtë, nëse një gjë e tillë është pjesë e një pakoje më të gjerë të mbështetjes, për të cilën do të kishte pajtueshmëri me aleatët evropianë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Për këtë duhet të ketë pajtim të përbashkët dhe, nëse ka pajtim, atëherë Gjermania duhet të marrë pjesë” – tha Merz-i, i cili pritet ta marrë drejtimin e vendit muajin e ardhshëm.

Gjermania ka qenë njëra nga mbështetëset kryesore ushtarake të Ukrainës, duke i dhuruar asistencë ushtarake me vlerë të rreth 7,1 miliardë eurove vetëm në vitin 2024, sipas të dhënave qeveritare. Megjithatë, Berlini asnjëherë deri më tani nuk i ka dhuruar Kievit raketa “Taurus”, të cilat kanë rreze veprimi prej më shumë se 480 kilometrash, pavarësisht nga kërkesat e përsëritura nga Ukraina.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se ishte e qartë nga komentet e Merz-it se gjermani do të mbrojë një “pozicion më të ashpër”, i cili “në mënyrë të pashmangshme vetëm do të çojë në një eskalim të mëtejmë të situatës rreth Ukrainës”.

“Fatkeqësisht, është e vërtetë se kryeqytetet evropiane nuk janë të prira për të kërkuar mënyra që të arrihen bisedime të paqes, por më tepër janë të prira për ta nxitur më tej vazhdimin e luftës” – shtoi Peskovi./Nacionale

Lajme të ngjashme