Kremlini thotë se duhet të plotësohen disa kushte para se të aktivizohet pakti për Detin e Zi - NACIONALE

Kremlini thotë se duhet të plotësohen disa kushte para se të aktivizohet pakti për Detin e Zi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kremlini tha të mërkurën se një numër i kushteve duhet të plotësohen para se të mund të aktivizohet një marrëveshje për sigurinë detare në Detin e Zi, e negociuar me Shtetet e Bashkuara, duke përmendur një pakt të mëhershëm, për të cilin tha se i shpërfilli nevojat e Moskës.

Shtetet e Bashkuara të martën arritën marrëveshje të ndara me Ukrainën dhe Rusinë për t’i ndërprerë luftimet në Detin e Zi dhe sulmet ndaj caqeve të energjisë, ndërsa Uashingtoni u pajtua për ta shtyrë përpara heqjen e disa sanksioneve ndaj Moskës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Përderisa eksportet ruse të ushqimit dhe plehut artificial nuk janë subjekt i sanksioneve perëndimore, Moska ka thënë se kufizimet ndaj pagesave, logjistikës dhe sigurimeve kanë përbërë pengesë ndaj dërgesave.

Rusia e dëshiron rilidhjen e bankës shtetërore bujqësore “Rosselkhozbank” në sistemin ndërkombëtar të pagesave SWIFT. Ky hap dhe të tjerë mund ta bëjnë të nevojshme marrëveshjen me shtete evropiane.

“Sa i përket nismës për drithin në Detin e Zi, ajo mund të aktivizohet pasi të zbatohen një numër i kushteve” – u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Këto janë kushtet e njëjta që ishin të përfshira në Nismën (fillestare) të Detit të Zi… të gjitha kushtet u përmbushën, përpos ato që kishin të bënin me palën ruse. Prandaj, natyrisht, kësaj radhe drejtësia duhet të ngadhënjejë dhe ne do ta vazhdojmë punën tonë me amerikanët” – shtoi ai.

Në vitin 2023, Rusia ishte tërhequr nga marrëveshja fillestare, e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia më 2022, duke u ankuar se pengesat ndaj eksporteve të saj të ushqimit dhe plehut artificial nuk ishin lehtësuar siç premtohej me kushtet e marrëveshjes./Nacionale

Lajme të ngjashme