Kremlini thotë se Putini s’ka plane për ta kontaktuar Trumpin pas atentatit
Kremlini tha të hënën se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk e ka kontaktuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump, pas vrasjes në tentativë ndaj tij në fundjavë dhe nuk ka plane për të bërë një gjë të tillë.
Kur u pyet nëse masat e sigurisë për presidentin rus tani do të shtohen, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Putini tashmë e gëzon nivelin e duhur të mbrojtjes, raporton agjencia “Reuters”.
“Siguria tashmë është e përforcuar për arsye të qarta, pavarësisht nga incidentet” – u tha më tej gazetarëve Peskovi.
“Ne vetëm mund të ritheksojmë se siguria e kreut të shtetit është e ofruar në nivelin e duhur, gjithçka e nevojshme është duke u bërë, duke e marrë parasysh eskalimin ndërkombëtar të tensioneve në përgjithësi” – shtoi zëdhënësi i Kremlinit.
Kremlini tha të dielën se nuk besonte që administrata amerikane ishte përgjegjëse për atentatin e së shtunës ndaj Trumpit, por e akuzoi atë për krijimin e një atmosfere që e nxiti sulmin.
Trumpi u qëllua me plumb në vesh gjatë një tubimi të fushatës në Pensilvani pas një dështimi të madh të forcave të sigurisë. Sulmuesi u qëllua për vdekje, ndërsa zyrtarët thonë se ende nuk e kanë identifikuar motivin.
Putini ende nuk e ka komentuar publikisht rastin.
Komentet e Peskovit u bënë jehonë atyre të disa prej aleatëve republikanë të Trumpit, të cilët menjëherë ia hodhën fajin presidentit amerikan, Joe Biden.
“Pas shumë përpjekjeve për ta larguar kandidatin Trump nga arena politike – duke përdorur fillimisht mjete ligjore, gjykatat, prokurorët, përpjekjet për ta diskredituar e komprometuar politikisht kandidatin – ishte e qartë për të gjithë vëzhguesit e jashtëm se jeta e tij ishte në rrezik” – tha Peskovi të dielën.