Kremlini s’pret zbutje të ShBA-së për sanksionet ndaj naftës ruse me ardhjen e Trumpit
Kremlini tha të premten se nuk pret që Shtetet e Bashkuara ta zbusin qëndrimin e tyre rreth sanksioneve kundër naftës ruse me ardhjen në pushtet të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.
Kjo mungesë e pritjes vjen pavarësisht nga gatishmëria e administratës amerikane në ardhje për dialog rreth luftës në Ukrainës.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry peskov, po e komentonte deklaratën e të nominuarit të Trumpit për sekretar të Thesarit, Scott Bessent, se ai “100 për qind” e mbështet shtimin e sanksioneve ndaj prodhuesve rusë të naftës, nëse Trumpi kërkon nga ai një gjë të tillë, raporton gazeta “The Guardian”.
Peskovi gjithashtu tha se Kremlini do t’i analizojë hollësitë e një marrëveshjeje të re mes Ukrainës dhe Britanisë së Madhe, duke e përshkruar idenë e bazave ushtarake britanike në Ukrainë si “shqetësuese”.
Sipas tij, Moska e sheh negativisht mundësinë e bashkëpunimit britanik me Ukrainën në Detin e Azovit, të cilin e quajti “det të brendshëm” të Rusisë.
Ndërkohë, në Ukrainë po vazhdon agresioni rus. Një sulm raketor ndaj qytetit Kryvyi Rih të premten la të vrarë të paktën tre njerëz, ndërsa disa të tjerë mbetën të plagosur, sipas guvernatorit rajonal.
Ai shtoi se nga sulmi u dëmtuan një objekt arsimor dhe një ndërtesë banimi./Nacionale