Kremlini s’përjashton një takim mes Trumpit e Putinit në shtator - NACIONALE

Kremlini s’përjashton një takim mes Trumpit e Putinit në shtator

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Kremlini tha të hënën se nuk e përjashton mundësinë e një takimi mes presidentëve të Rusisë dhe ShBA-së, Vladimir Putin e Donald Trump, nëse ata do të ndodhen në të njëjtën kohë në Pekin të Kinës në shtator.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se Putini do ta vizitojë Kinën për të marrë pjesë në ngjarjet që e shënojnë 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, por tha se Moska nuk ka dëgjuar nëse Trumpi planifikon që të shkojë gjithashtu në kryeqytetin kinez, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ju e dini se ne jemi duke u përgatitur për një udhëtim në Pekin, presidenti ynë është duke u përgatitur për këtë udhëtim... por nuk kemi dëgjuar se edhe presidenti Trump do të shkojë atje, në Pekin” – tha Peskovi, kur u pyet nëse mund të ketë takim mes dy presidentëve, përfshirë mundësinë e formatit trepalësh me homologun e tyre kinez, Xi Jinping.

“Nëse ndodh që (Trumpi) është atje, atëherë, natyrisht, ne nuk mund të përjashtojmë se do të ngrihet pyetja e përshtatshmërisë së mbajtjes së një takimi” – iu tha Peskovi gazetarëve.

Gazeta “The Times” raportoi javën e kaluar se Kina ishte duke e pozicionuar veten për mbajtjen e një samiti mes Trumpit dhe Putinit.

Dy presidentët kanë biseduar mes vete të paktën gjashtë herë që nga janari, kur Trumpi u rikthye në pushtet në Shtëpinë e Bardhë. Kremlini ka thënë se është në favor të një takimi sy më sy mes tyre, por se për një gjë të tillë do të nevojitej përgatitje e kujdesshme me qëllim të prodhimit të rezultateve.

Trumpi ka shprehur gjithnjë më shumë zemërim ndaj homologut rus për shkak të mungesës së progresit për përfundimin e luftës në Ukrainë. Ai javën e kaluar kërcënoi se do t’u vendoste sanksione të reja Rusisë dhe blerësve të eksporteve të saj, nëse Moska nuk pajtohet për një marrëveshje të paqes brenda 50 ditëve. Ky afat skadon në fillim të shtatorit.

Lajme të ngjashme