Kremlini për bisedimet e paqes në Stamboll: Mos prisni mrekulli
Kremlini tha të martën se nuk ka bazë që të priten mrekulli nga një rund i tretë i propozuar i bisedimeve të drejtpërdrejta të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës dhe refuzoi që të jepte ndonjë afat kohor për arritjen e një marrëveshjeje potenciale për përfundimin e luftës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të shtunën se Kievi i kishte dërguar Moskës një ofertë për të mbajtur një rund të ri të bisedimeve të paqes në Turqi këtë javë dhe se ai dëshiron që t’i përshpejtojë bisedimet për armëpushim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Nuk ka arsye për të pritur ndonjë hap të madh në kategorinë e mrekullive – është zor e mundshme në situatën e tanishme” – iu tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Ne synojmë që t’i ndjekim interesat tona, synojmë që t’i sigurojmë interesat tona dhe t’i përmbushim detyrat që ia kemi vënë vetes që nga fillimi” – shtoi ai.
Kur u pyet nëse mund të jepte një këndvështrim se si e sheh Kremlini korniznë kohore të një marrëveshjeje të mundshme të paqes, Peskovi tha se nuk mund të jepte qëndrim për kohën.
“Ka shumë punë për t’u bërë para se të mund të flasim për mundësinë e disa takimeve të nivelit të lartë” – shtoi Peskovi, një ditë pasi Zelensky e përsëriti thirrjen për takim me homologun rus, Vladimir Putin.