Kremlini konfirmon se Putini i ka dhënë intervistë gazetarit amerikan, Tucker Carlson - NACIONALE

Kremlini konfirmon se Putini i ka dhënë intervistë gazetarit amerikan, Tucker Carlson

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti rus, Vladimir Putin, i dha të martën një intervistë gazetarit amerikan, Tucker Carlson, tha Kremlini. Kjo është intervista e parë e presidentit rus me një gazetar amerikan që para fillimit të luftës në Ukrainë para gati dy vjetëve.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Putini ishte pajtuar për intervistën me Carlsonin, sepse qasja e ish-punëtorit të televizionit “Fox News” është ndryshe nga raportimi “i njëanshëm” për konfliktin e Ukrainës nga shumë media perëndimore, raporton agjencia “Reuters”.

“Kur bëhet fjalë për vendet e Perëndimit kolektiv, mediat e rrjetit të madh, kanalet televizive, gazetat e mëdha në asnjë mënyrë nuk mund të mburren as për përpjekje që të paktën të duken të paanshme në aspektin e mbulimit” – tha Peskovi të mërkurën në një konferencë të rregullt me gazetarë.

“Këto janë të gjitha media që marrin një pozicion jashtëzakonisht të njëanshëm. Natyrisht, nuk ka dëshirë për të komunikuar me media të tilla dhe zor se ka logjikë, dhe ka pak gjasa që kjo të jetë e dobishme” – shtoi ai.

Kur u pyet drejtpërdrejt pse Carlsonit iu ofrua mundësia për intervistë me Putinin, Peskovi tha se qasja e gazetarit amerikan nuk është “në asnjë mënyrë pro-ruse, nuk është pro-ukrainase – është pro-amerikane”.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve, TASS, e cila citoi raportime të gazetës amerikane “The Wall Street Journal”, ka gjasa që kjo intervistë të transmetohet të enjten.

Putini, i cili kishte dhënë urdhër për pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022, kishte dhënë për herë të fundit intervistë për një medium amerikan në tetor të vitit 2021, kur me të kishte biseduar gazetarja e televizionit CNBC, Hadley Gamble.

Lajme të ngjashme