Kremlini i kundërpërgjigjet planit të Zelenskyt: Gabim fatal
Rusia tha të mërkurën se një plan i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që ta detyrojë Kremlinin për të bërë paqe është “gabim fatal” që do të ketë pasoja për Kievin.
Zelensky tha në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të martën se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës nuk mund të qetësohet vetëm përmes bisedimeve dhe se Moska duhet të detyrohet që të bëjë paqe, raporton agjencia “Reuters”.
Në një telefonatë me gazetarët, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha: “Një pozicion i tillë është gabim fatal, gabim sistematik. Ky është një keqkuptim i thellë që në mënyrë të pashmangshme do të ketë pasoja për regjimin e Kievit.”
Peskovi tha se Rusia dëshiron paqe, por se kjo çështje nuk mund të shtyhet me detyrim, duke shtuar: “Një pozicion i bazuar në një përpjekje për ta detyruar Rusinë drejt paqes është një gabim absolutisht fatal, sepse është e pamundshme që Rusia të detyrohet drejt paqes.”
“Rusia është përkrahëse e paqes, por me kushtin që themelet e sigurisë së saj janë garantuar” – tha më tej zëdhënësi i Kremlinit.
Presidenti rus, Vladimir Putin, në qershor tha se Rusia do t’i jepte fund luftës në Ukrainë, vetëm nëse Kievi do të pajtohej për të hequr dorë nga ambiciet për t’u anëtarësuar në NATO dhe nëse do t’i dorëzonte katër rajonet që Moska i ka shpallur të aneksuara. Këto kërkesa janë refuzuar menjëherë nga Kievi, duke u cilësuar si të barasvlershme me dorëzimin.
Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë thonë se Putinit duhet t’i parandalohet fitorja në luftë, sepse, nëse nuk ndalet, ai do të kërcënojë shtete të tjera fqinje. Në anën tjetër, Putini e ka paraqitur konfliktin si përpjekje ekzistenciale për Rusinë dhe ka mohuar se ka ndonjë interesim për ta zgjeruar luftën në vende të tjera./Nacionale