Kremlini i hedh poshtë raportimet e mediave turke për jetën e Assadit dhe gruas së tij në Moskë
Kremlini të hënën i hodhi poshtë raportimet e mediave turke, në të cilat thuhet se Asma al-Assad, bashkëshortja e ish-presidentit të rrëzuar sirian, Bashar al-Assad, dëshiron të divorcohet dhe të largohet nga Rusia.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjithashtu i hodhi poshtë raportimet e mediave turke ku thuhet se Assadi është izoluar në Moskë dhe i janë ngrirë asetet e pronave, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kur u pyet në një konferencë nëse raportimet e mediave turke përputhen me realitetin, Peskovi tha: “Jo, ato nuk përputhen me realitetin.”
Mediat turke dhe arabe raportuan të dielën se Asma al-Assad e kishte paraqitur kërkesën për divorc në Rusi, ku familjes Assad iu dha azil këtë muaj, pasi rebelët sirianë e morën kontrollin e Damaskut pas një ofensive të shpejtë.
Është raportuar se presidenti rus, Vladimir Putin, personalisht e ka marrë vendimin për t’i dhënë azil familjes Assad.
Rusia ka qenë aleate e diktatorit gjatë pushtetit të tij në luftën civile të Sirisë dhe rrëzimi i tij është cilësuar si goditje për Moskën.