Kremlini e minimizon mundësinë për një takim Putin – Zelensky së shpejti
Kremlini e ka minimizuar mundësinë për një samit të menjëhershëm mes presidentëve Vladimir Putin të Rusisë dhe Volodymyr Zelensky të Ukrainës, përderisa homologu i tyre amerikan, Donald Trump, e përtëriu thirrjen për takim mes tyre që të diskutohet përfundimi i luftës në Ukrainë.
Shtytja për takim dypalësh vjen pas takimit të Putinit me Trumpin në Alaskë të ShBA-së javën e kaluar. Më pas, kreu i Shtëpisë së Bardhë mirëpriti shtatë udhëheqës evropianë dhe Zelenskyn në Uashington të hënën, raporton televizioni BBC.
Trumpi pranoi se konflikti është “i vështirë” për t’u zgjidhur dhe se është e mundshme që presidenti rus nuk është i interesuar për t’u dhënë fund armiqësive.
Presidenti rus i tha Trumpit të hënën se ai është “i hapur” për idenë e bisedimeve të drejtpërdrejta me Ukrainën, por të nesërmen, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, e dobësoi atë zotim edhe ashtu të vakët.
Zëvendësambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Dmitry Polyanskiy, i tha televizionit BBC se “askush nuk e ka refuzuar” mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta, “por ai duhet të jetë një takim për hir të takimit”.
Të martën u raportuar se Putini i ka sugjeruar Trumpit se Zelensky do të mund të udhëtonte në Moskë për bisedime, diçka që nuk është pritur asnjëherë se do të pranohet nga Ukraina.
Bisedimet e ditëve të fundit duket se i kanë dhënë Trumpit një pasqyrë të re të ndërlikueshmërisë së luftës dhe dallimeve mes kërkesave të Rusisë e pozicionit të Ukrainës.
Të martën, presidenti amerikan tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme që t’i ndihmojnë evropianët “nga ajri”, nëse ata do të dërgonin trupa në Ukrainë në rast të arritjes së armëpushimit ose marrëveshjes së paqes, edhe pse e përjashtoi dërgimin e ushtarëve amerikanë atje.
Përderisa zotimet e Trumpit mbeten të vakëta, “koalicioni i vullnetit”, i drejtuar nga Franca dhe Britania, tha se ka qenë duke punuar për të hartuar plane për një forcë garancie që do të mund të dërgohej në Ukrainë, nëse armiqësitë marrin fund.