Kremlini e cilëson komplekse arritjen e paqes në Ukrainë: Të mos priten zgjidhje menjëherë - NACIONALE

Kremlini e cilëson komplekse arritjen e paqes në Ukrainë: Të mos priten zgjidhje menjëherë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kremlini tha të martën se puna për arritjen e një zgjidhjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainës është jashtëzakonisht komplekse dhe se do të ishte gabim, nëse priten vendime të shpejta, por po e pret reagimin e Ukrainës ndaj propozimeve të Rusisë.

Kremlini komentoi pasi Rusia i tha Ukrainës në bisedimet e paqes në Turqi të hënën se do të pajtohej për përfundimin e luftimeve, vetëm nëse Kievi heq dorë nga pjesë të mëdha territori dhe nëse i pranon kufizimet ndaj madhësisë së ushtrisë, kërkesa që Ukraina vazhdimisht i ka refuzuar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve të martën se Moska është duke e pritur reagimin e Ukrainës dhe se marrëveshjet e arritura në bisedimet e Stambollit për shkëmbimin e të burgosurve dhe kufomave të ushtarëve të vdekur do të respektohen nga Rusia.

“Tema e zgjidhjes (për paqe) është tepër komplekse, ajo përbëhet nga një numër i madh nuancash dhe ju e patë dje tekstin e publikuar të draft-memorandumit që ne ia dorëzuam palës ukrainase” – tha Peskovi.

“Natyrisht, do të ishte gabim që të pritet ndonjë zgjidhje e menjëhershme dhe hap i madh këtu, por puna është duke u bërë, marrëveshje të caktuara u arritën në Stamboll dhe ato janë të rëndësishme. Marrëveshjet do të zbatohen dhe pastaj puna do të vazhdojë” – shtoi ai.

Peskovi tha se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara ende nuk janë pajtuar për ndonjë kontakt specifik në të ardhmen mes presidentëve Vladimir Putin e Donald Trump, por se Putini është i gatshëm për kontakte të ndryshme të nivelit të lartë, nëse ato përgatiten në mënyrën e duhur.

Megjithatë, ai tha se ka pak gjasa që të zhvillohet një takim trepalësh në të ardhmen e afërt mes Putinit, Trumpit dhe homologut të tyre ukrainas, Volodymyr Zelensky./Nacionale

Lajme të ngjashme