Koreja Veriore e Rusia përplasen me Korenë Jugore e ShBA-në në OKB për raketat e Veriut
Rusia dhe Koreja Veriore u përplasën me Shtetet e Bashkuara, Korenë Jugore e aleatët e tyre në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të martën pas hedhjes së një rakete balistike ndërkontinentale nga Veriu, që e quajti “kundërmasë paralajmëruese” ndaj kërcënimeve nga ShBA-ja e forcat e tjera armiqësore.
Ambasadori i Koresë së Veriut në OKB, Kim Song, tha se ky është “viti më i rrezikshëm” në horizontin e sigurisë ushtarake në Gadishullin Korean, duke e përmendur shtimin e ushtrimeve ushtarake mes ShBA-së e Koresë së Jugut dhe dislokimin e nëndetëseve me energji bërthamore e aseteve të tjera bërthamore të ShBA-së në atë rajon, që e kanë rritur “rrezikun për luftë bërthamore”, raporton agjencia “Associated Press”.
Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara dhe nëntë vende aleate i përmendën pesë hedhjet e raketave balistike ndërkontinentale, mbi 25 hedhjet e raketave balistike e tri lëshimet e satelitëve përmes përdorimit të teknologjisë së raketave balistike këtë vit nga Koreja Veriore, duke shkelur shumë rezoluta të Këshillit të Sigurimit dhe duke i rrezikuar “paqen dhe stabilitetin e fqinjëve të saj dhe të komunitetit ndërkombëtar”.
Në një deklaratë të lexuar pak para fillimit të takimit të Këshillit nga zëvendësambasadori i ShBA-së në OKB, Robert Wood, i rrethuar nga diplomatë të shteteve të tjera, dhjetë shtete i dënuan hedhjen e raketës ndërkontinentale më 18 dhjetor dhe hedhjen e raketave të tjera para saj.
Megjithatë, ambasadori i Koresë së Veriut i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për të menduar për shqetësimet e vendit të tij për sigurinë, duke i quajtur kundërmasat e vendit të tij “kundërpërgjigje absolutisht të arsyeshme, normale e reflektuese” si ushtrim i së drejtës legjitime për vetëmbrojtje.
Ai i paralajmëroi Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut se nëse ato vazhdojnë me “kërcënimin e tyre të pamatur e të papërgjegjshëm”, forcat e armatosura të vendit të tij “kurrë nuk do të mbeten shikuese ndaj kësaj dhe provokuesit do të mbahen tërësisht përgjegjës për të gjitha pasojat”.
Koreja Veriore gjithashtu “do të vazhdojë që ta ndërtojë fuqinë e saj strategjike të një lloji më të avancuar për të frenuar e kontrolluar çfarëdo kërcënimi nga ShBA-ja dhe ndjekësit e saj me kundërmasa të menjëhershme, dërrmuese e vendimtare”, paralajmëroi ambasadori i këtij shteti.
Këshilli i Sigurimit vendosi sanksione pas testimit të parë bërthamor të Koresë Veriore më 2006 dhe i ashpërsoi ato me kalimin e viteve përmes gjithsej dhjetë rezolutave, me të cilat synohen – deri më tani pa sukses – pakësimi i fondeve dhe frenimi i programeve bërthamore e raketore të Veriut.