Koreja Jugore: Veriu po kërkon ilaçe jashtë vendit për problemet e Kimit që lidhjen me mbipeshën - NACIONALE

Koreja Jugore: Veriu po kërkon ilaçe jashtë vendit për problemet e Kimit që lidhjen me mbipeshën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jong Un, ka rifituar peshë trupore dhe duket se ka probleme shëndetësore të ndërlidhura me mbipeshën, si shtypja e lartë e gjakut dhe diabeti, ndërsa zyrtarët e tij po kërkojnë ilaçe të reja jashtë vendit për ta trajtuar, tha të hënën agjencia e spiunimit e Koresë Jugore.

Kimi 40-vjeçar, i njohur për konsum të madh të pijeve alkoolike dhe duhanit, vjen nga një familje që ka të kaluar me probleme me zemrën. Babai dhe gjyshi i tij, që e kishin udhëhequr vendin para ardhjes së tij në pushtet më 2011, kanë vdekur nga problemet në zemër, raporton agjencia “Associated Press”.

Disa vëzhgues thanë se Kimi, rreth 170 centimetra i gjatë dhe që më parë peshonte 140 kilogramë, dukej se kishte humbur shumë peshë më 2021, me gjasë nga ndryshimi i dietës. Megjithatë, në pamjet e publikuara rishtazi nga mediat, shihet se ai ka rifituar peshë trupore.

Të hënën, Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare, agjencia kryesore e spiunimit e Koresë Jugore, iu tha ligjvënësve në një mbledhje me dyer të mbyllura se Kimi vlerësohet se peshon rreth 140 kilogramë përsëri dhe se është në grupin me rrezik të lartë për sëmundje të zemrës, sipas njërit prej deputetëve, Lee Seong Kweun.

Lee tha se kjo agjenci iu tha deputetëve që Kimi ka shfaqur simptoma të shtypjes së lartë të gjakut dhe diabetit që nga të tridhjetat e hershme. Një deputete tjetër, Park Sunwon, tha se agjencia beson që mbipesha e Kimit është e ndërlidhur me konsumimin e pijeve alkoolike, duhanpirjes dhe stresit.

Deputetët Lee dhe Park e cituan Shërbimin e Inteligjencës Kombëtare të ketë thënë se kishte siguruar të dhëna të inteligjencës që zyrtarë të Koresë Veriore kanë qenë duke u munduar të sigurojnë ilaçe të reja jashtë vendit për shtypjen e lartë të gjakut dhe diabetin e dyshimtë të Kimit.

Koreja Veriore është njëra ndër shtetet më të izoluara në botë dhe nuk ka gjasa që personat nga jashtë t’i dinë saktë problemet shëndetësore të Kimit. Edhe agjencia e spiunimit e Koresë Jugore ka të kaluar me njolla rreth konfirmimit të zhvillimeve në fqinjin verior./Nacionale

Lajme të ngjashme