Koreja e Veriut publikon për herë të parë fotografi të qendrës së ndaluar të uraniumit - NACIONALE

Koreja e Veriut publikon për herë të parë fotografi të qendrës së ndaluar të uraniumit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Koreja e Veriut për herë të parë publikoi të premten fotografi të centrifugave që prodhojnë karburant për bombat e saj bërthamore, përderisa udhëheqësi i vendit, Kim Jong Un, vizitoi një qendër për pasurimin e uraniumit dhe bëri thirrje për më shumë material të shkallës së nevojshme për prodhim armësh për ta fuqizuar arsenalin.

Raporti i mediave shtetërore për vizitën e Kimit në Institutin Korean të Armëve dhe në një bazë prodhimi për materiale bërthamore të shkallës së armëve u shoqërua me fotografitë e para të centrifugave, duke ofruar një pamje të rrallë brenda programit bërthamor të Koresë së Veriut, që është i ndaluar me disa rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, raporton agjencia “Reuters”.

Në fotografi shihet Kimi duke ecur mes rreshtave të gjatë të centrifugave të metalta, makina që e pasurojnë uraniumin. Në raport nuk u bë e qartë se kur ka ndodhur vizita e kreut të shtetit dhe as vendi i kësaj qendre.

Kimi iu bëri thirrje punëtorëve që të prodhonin më shumë materiale për armë bërthamore taktike, duke thënë se arsenali bërthamor i vendit është jetik për t’iu kundërvënë kërcënimeve nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.

Sipas tij, këto armë nevojiten për “vetëmbrojtje dhe kapacitete për një sulm parandalues”.

Koreja e Jugut e dënoi zbulimin e qendrës për pasurimin e uraniumit nga Koreja e Veriut dhe tha se nuk do ta pranojë kurrë posedimin e armëve bërthamore nga Penjani, sipas një deklarate të Ministrisë së Unifikimit.

Besohet se Koreja e Veriut ka disa qendra për pasurimin e uraniumit. Analistët thonë se pamjet satelitore komerciale kanë shfaqur ndërtim viteve të fundit në Qendrën “Yongbyon” për Hulumtime Shkencore Bërthamore, përfshirë qendrën për pasurimin e uraniumit, duke sugjeruar zgjerim të mundshëm.

Lajme të ngjashme