Koreja e Veriut ka dërguar 3.000 ushtarë shtesë në Rusi, thotë Koreja e Jugut - NACIONALE

Koreja e Veriut ka dërguar 3.000 ushtarë shtesë në Rusi, thotë Koreja e Jugut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Koreja e Veriut duket se ka dërguar edhe të paktën tre mijë ushtarë shtesë në Rusi në fillim të këtij viti, tha të enjten ushtria e Koresë së Jugut, duke e dëshmuar përkrahjen e vazhdueshme të Penjanit për luftën e Moskës kundër Ukrainës, teksa udhëheqës botërorë po bëjnë përpjekje për ta siguruar përfundimin e konfliktit që nisi para më shumë se tre vjetëve.

Lajmi vjen në kohën kur zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Andrey Rudenko, tha se është duke u përgatitur një vizitë në Rusi e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, TASS, raporton televizioni CNN.

Përforcimet e dërguara në janar e në shkurt u shtohen rreth 11 mijë trupave që Koreja e Veriut ka dërguar deri më tani në Rusi, tha Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut. Sipas Seulit, rreth katër mijë prej tyre tashmë janë vrarë ose janë plagosur gjatë luftimeve.

Penjani gjithashtu ka dërguar një “sasi domethënëse” raketave balistike me rreze të shkurtër dhe rreth 220 obusë 170-milimetërsh e raketahedhës të shumëfishtë 240-milimetërsh, tha Koreja e Jugut. Sipas Seulit, kontributet e Koresë së Veriut “pritet të shtohen në përputhje me situatën”.

Përderisa Koreja e Veriut duket se po e shton mbështetjen për luftën e Rusisë kundër Ukrainës, udhëheqësit evropianë dhe aleatët pritet të takohen të enjten në Paris për të diskutuar rreth ndihmave për Kievin dhe stabilitetin afatgjatë në rajon, në kohën e përpjekjeve të Shtëpisë së Bardhë për të ndërmjetësuar një armëpushim.

Kimi i Koresë së Veriut dhe presidenti rus, Vladimir Putin, i kanë thelluar marrëdhëniet e vendeve të tyre në fushën e sigurisë që nga koha kur nënshkruan një pakt domethënës të mbrojtjes vitin e kaluar dhe u zotuan për shfrytëzimin e të gjitha mjeteve në dispozicion për t’i ofruar njëri-tjetrit asistencë të menjëhershme ushtarake në rast se njëra palë sulmohet./Nacionale

Lajme të ngjashme