Koreja e Veriut hedh në erë rrugë dhe hekurudha që e lidhnin me Korenë e Jugut - NACIONALE

Koreja e Veriut hedh në erë rrugë dhe hekurudha që e lidhnin me Korenë e Jugut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Koreja e Veriut të martën hodhi në erë disa pjesë të rrugëve dhe linjave hekurudhore në anën e vet të kufirit që e lidhnin me Korenë e Jugut, duke e nxitur ushtrinë e vendit fqinj që të shkrepte të shtëna paralajmëruese.

Tensionet kanë qenë duke u rritur në Gadishullin Korean. Penjani tha javën e kaluar se do t’i shkëpuste rrugët dhe hekurudhat ndërkoreane tërësisht dhe do t’i fortifikonte më tej zonat në anën e vet të kufirit si pjesë e shtytjes për një sistem “me dy shtete”, duke e hedhur poshtë qëllimin afatgjatë të bashkimit, raporton agjencia “Reuters”.

Rreth mesditës të martën, disa pjesë veriore të rrugës dhe linjave hekurudhore, që e lidhnin vendin me Korenë e Jugut, u shkatërruan, tha Shtabi i Përgjithshëm në Seul.

Ministria e Unifikimit e Koresë së Jugut, që merret me çështje matanë kufirit, e dënoi incidentin, duke e cilësuar si shkelje të qartë të marrëveshjeve të kaluara mes dy vendeve dhe duke e quajtur “shumë jonormal”.

“Është e mjerueshme që Koreja e Veriut është në mënyrë të përsëritur duke kryer sjellje të tillë agresive” – tha zëdhënësi i kësaj ministrie, Koo Byoung-sam.

Si kundërpërgjigje ndaj shpërthimeve, ushtria e Koresë së Jugut shkrepi të shtëna paralajmëruese në jug të vijës ushtarake të demarkimit, edhe pse nuk pati dëm ndaj anës jugore të kufirit, njoftoi ushtria.

Lajme të ngjashme