Koreja e Veriut arreston një zyrtar të lartë pas dështimit të luftanijes së re - NACIONALE

Koreja e Veriut arreston një zyrtar të lartë pas dështimit të luftanijes së re

1 vit më parë

nga NACIONALE

Koreja e Veriut e ka arrestuar zyrtarin e katërt në lidhje me dështimin e futjes në përdorim të një luftanijeje të re. Kjo ngjarje e ka zemëruar udhëheqësin e vendit, Kim Jong Un.

Ri Hyong-son, zëvendësdrejtor i Departamentit të Industrisë së Municioneve në Partinë e Punës, ishte “kryesisht përgjegjës për aksidentin serioz” javën e kaluar, tha të hënën agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA, raporton televizioni BBC.

Luftanja 5000-tonëshe kishte rënë në krah dhe i ishte dëmtuar trupi, në atë që Kimi e përshkroi si “akt kriminal që i dëmtoi rëndë dinjitetin dhe krenarinë (e popullit)”. Agjencia KCNA tha se anija është duke u riparuar nën udhëzimet e një grupi të ekspertëve.

Hyong-son, i cili është pjesë e Komisionit Qendror Ushtarak të Partisë së Punës, është zyrtari i nivelit më të lartë që është arrestuar për këtë incident deri më tani.

Komisioni Qendror Ushtarak e komandon Ushtrinë Popullore dhe është përgjegjës për zhvillimin dhe zbatimin e politikave ushtarake të Koresë së Veriut.

Gjatë fundjavës, autoritetet verikoreane ndaluan tre zyrtarë të tjerë në limanin e anijeve në qytetin Chongjin, ku ishte prodhuar anija dhe ku dështoi lëshimi i saj në përdorim.

Tre zyrtarët e arrestuar ishin kryeinxhinieri, udhëheqësi i ndërtimit dhe një menaxher administrativ.

Kimi tha para disa ditëve se incidenti i së mërkurës ishte shkaktuar nga “pakujdesia absolute, papërgjegjësia dhe empirizmi joshkencor”.

Disa analistë besojnë se reagimi i shpejtë dhe i ashpër i udhëheqësit të vendit pas dëmtimit të luftanijes ka për qëllim që të sinjalizojë se Koreja e Veriut do të vazhdojë që t’i avancojë kapacitetet ushtarake./Nacionale

Lajme të ngjashme