Koreja e Jugut urdhëron hetim të sigurisë ajrore pas aksidentit me 179 të vdekur
Presidenti në detyrë i Koresë së Jugut, Choi Sang-mok, të hënën urdhëroi inspektim urgjent të sigurisë të tërë sistemit operues të linjave ajrore në vend, përderisa hetuesit punuan për t’i identifikuar viktimat dhe për ta zbuluar shkaktarin e fatkeqësisë më vdekjeprurëse ajrore në shtetin e largët aziatik.
Të gjithë 175 pasagjerët dhe katër prej gjashtë anëtarëve të ekuipazhit e humbën jetën, kur një aeroplan i kompanisë “Jeju Air” aterroi pa rrota në pistë dhe rrëshqiti përtej pistës e shpërtheu në zjarr, pasi u përplas në një mur në Aeroportin Ndërkombëtar të Muan-it. Dy anëtarë të ekuipazhit u nxorën të gjallë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Prioriteti i parë tani për tani janë identifikimi i viktimave, mbështetja e familjeve të tyre dhe trajtimi i dy të mbijetuarve, tha presidenti në detyrë në një takim për menaxhimin e fatkeqësisë në Seul.
“Edhe para se të dalin rezultatet përfundimtare, ne kërkojmë që zyrtarët në mënyrë transparente ta zbulojnë procesin e hetimit të aksidentit dhe që shpejt t’i njoftojnë familjet që janë në zi” – tha ai.
“Porsa të kryhet rikuperimi i aksidentit, Ministrisë së Transportit i kërkohet që të kryejë një hetim urgjent të sigurisë të tërë sistemit operues të aeroplanëve për ta parandaluar përsëritjen e aksidenteve me aeroplanë” – shtoi presidenti Sang-mok.
Ministria e Transportit tha se autoritetet po e shqyrtonin mundësinë nëse do të zhvillohej një inspektim i veçantë i të gjithë 101 aeroplanëve të tipit “Boeing 737-800” që shfrytëzohen nga kompanitë ajrore të Koresë së Jugut.
Fluturimi me shifrën 7C2216, që ishte nisur nga kryeqyteti i Tajlandës, Bangkok, po përfundonte pak pas orës 9 të mëngjesit të së dielës në aeroportin që ndodhet në pjesën jugore të Koresë së Jugut.
Hetuesit po i hetojnë sulmet nga zogjtë dhe kushtet e motit si faktorë të mundshëm të aksidentit, sipas zjarrfikësve.
Ekspertët thonë se ende shumë pyetje mbeten pa përgjigje, përfshirë atë se pse aeroplani dukej se po lëvizte shumë shpejt dhe pse rrotat e tij nuk ishin nxjerrë jashtë, kur ai rrëshqiti nëpër pistë deri te përplasja në mur./Nacionale