Koreja e Jugut thotë se 11 aeroplanë ushtarakë rusë e kinezë hynë në zonën e saj të mbrojtjes ajrore - NACIONALE

Koreja e Jugut thotë se 11 aeroplanë ushtarakë rusë e kinezë hynë në zonën e saj të mbrojtjes ajrore

1 javë më parë

nga NACIONALE

Njëmbëdhjetë aeroplanë ushtarakë kinezë dhe rusë hynë në zonën identifikuese të mbrojtjes ajrore të Koresë së Jugut të premten për një periudhë prej katër orësh, duke e nxitur Seulin që të ngrinte në qiell aeroplanë luftarakë, tha ushtria koreanojugore.

Aeroplanët rusë e kinezë hynë në sekuanca, të gjithë dolën pa ndonjë incident dhe pa e shkelur hapësirën ajrore të Koresë së Jugut, thuhet në një mesazh të Shtabit të Përgjithshëm të Jugut për gazetarët, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ushtria e Koresë së Jugut i kishte identifikuar aeroplanët para se ata të hynin në zonë dhe dislokoi aeroplanë të forcave ajrore, të cilët kryen manovrime taktike si kundërpërgjigje, thuhet më tej në njoftim.

Aeroplanët rusë dhe kinezë shpesh kanë hyrë në zonën e mbrojtjes ajrore të Koresë së Jugut viteve të fundit para se të largohen pa ndonjë incident. Kina dhe Rusia nuk e njohin zonën e mbrojtjes ajrore të Koresë së Jugut.

Zonat identifikuese të mbrojtjes ajrore shpallen nga disa shtete për të vëzhguar dhe kontrolluar aeroplanë që i afrohen hapësirës ajrore territoriale për qëllime të sigurisë kombëtare.

Lajme të ngjashme