Koreanoveriorët e kapur nga Ukraina s’shfaqën dëshirë dezertimi, thotë inteligjenca e Jugut
Agjencia e spiunazhit e Koresë së Jugut u tha deputetëve të hënën se dy ushtarët e Koresë së Veriut që janë kapur nga forcat ukrainase derisa po luftonin krahas forcave ruse në rajonin e Kurskut nuk kanë shprehur dëshirë për dezertim.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ai është i gatshëm që këta dy ushtarë t’ia dorëzojë udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, nëse ai e organizon shkëmbimin e tyre me të burgosur ukrainas të luftës në Rusi. Zelensky tha se njëri nga ushtarët e kapur dëshiron që të qëndrojë në Ukrainë, ndërsa tjetri e do rikthimin në atdhe, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Në një seancë me dyer të mbyllura në Asamblenë Kombëtare të Koresë së Jugut, Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare e konfirmoi pjesëmarrjen e tij në marrjen në pyetje të ushtarëve të Koresë së Veriut nga autoritetet ukrainase. Agjencia e spiunimit tha se ushtarët nuk kanë shprehur një kërkesë për t’u vendosur në Korenë e Jugut, sipas dy ligjvënësve që morën pjesë në takim.
Agjencia tha se është e gatshme për ta diskutuar çështjen me autoritetet ukrainase, nëse ushtarët për çdo rast kërkojnë që të dërgohen në Korenë e Jugut. Rreth 34 mijë ish-banorë të Koresë së Veriut kanë dezertuar në vendin fqinj për të ikur nga vështirësitë ekonomike dhe shtypja politike në vendin e tyre, kryesisht nga pjesa e fundit e viteve të nëntëdhjeta.
Koo Byoungsam, zëdhënës i Ministrisë së Unifikimit, e cila merret me çështjet ndërkoreane, tha se lehtësimi i azilit për ushtarët e Koresë së Veriut do të kërkonte “analiza ligjore, përfshirë të drejtën ndërkombëtare, dhe konsultime me shtete përkatëse”. “Nuk ka asgjë që ne mund të themi në fazën e tanishme” – shtoi zëdhënësi korean.
Agjencia e spiunazhit në Seul beson se rreth 300 ushtarë të Koresë së Veriut kanë vdekur dhe 2.700 të tjerë janë plagosur gjatë luftimeve kundër forcave ukrainase, në atë që e paraqet përfshirjen e parë të Koresë së Veriut në një konflikt të shkallës së lartë që nga Lufta Koreane e viteve 1950 – 53.
Sipas Shërbimit të Inteligjencës Kombëtare të Koresë së Jugut, ushtarët e Koresë së Veriut po ballafaqohen me vështirësi për t’u përshtatur në luftimet me dronë dhe elemente të tjera të luftës moderne. Ata janë më tej në disavantazh nga taktikat e vrazhda të komandantëve të tyre rusë, që i kanë hedhur ata në fushata sulmuese pa u ofruar mbështetje zjarri nga prapa, sipas deputetit koreanojugor, Lee Seong Kweun, i cili mori pjesë në takimin me përfaqësuesit e agjencisë së spiunazhit./Nacionale/Nasuf Abdyli