Koreani e pranon se e kishte vrarë dhe varrosur të dashurën në ballkonin e banesës - NACIONALE

Koreani e pranon se e kishte vrarë dhe varrosur të dashurën në ballkonin e banesës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një burrë nga Koreja e Jugut është rrëfyer për vrasjen e të dashurës dhe fshehjen e trupit të saj në çimento – 16 vjet pasi ishte raportuar e zhdukur.

Burri, që tash është në të pesëdhjetat, i tha policisë lokale se e kishte goditur gruan me një objekt të topitur gjatë një grindjeje në banesën e tij në qytetin jugor, Geoje, raporton televizioni BBC.

Ai më pas e kishte vendosur kufomën në një valixhe, që e kishte varrosur nën një shtresë tullash dhe çimentoje në ballkonin e tij.

Kufoma kishte mbetur e pavërejtur aty deri muajin e kaluar, kur një punëtor i mirëmbajtjes e kishte zbuluar gjatë shpimit, raportuan mediat lokale.

Kufoma, që ishte ruajtur pjesërisht nga valixhja, u identifikua si gruaja e zhdukur përmes analizës së shenjave të gishtit. Me autopsi u zbulua se ajo kishte vdekur nga trauma e forcës me objekt të topitur në kokë.

Burri, që policia po e quan z. A, nuk ishte duke jetuar në banesë, kur trupi u zbulua, por u gjet shpejt dhe u arrestua.

Ai i tregoi policisë se kishte qenë duke jetuar me gruan për rreth pesë vjet në banesën në Geoje, para se një grindje në tetor të vitit 2008 të kulmonte me goditjen ndaj saj me një objekt të topitur.

Ai më pas e varrosi valixhen me kufomën brenda saj nën një shtresë tullash e çimentoje në një ballkon të vogël të katit të tretë, ku qasja ekzistonte vetëm nga njëra prej dhomave të gjumit.

Policia thotë se burri kishte vazhduar të jetonte në të njëjtën banesë edhe për tetë vjet, para se të arrestohej nën akuza për drogë më 2016.

Nga ajo kohë, pronari i banesës e kishte lënë atë boshe, duke e shfrytëzuar si vend për lënien e gjërave.

Gruaja, që ishte në të tridhjetat në atë kohë, nuk ishte raportuar e zhdukur nga familja e saj deri tri vjet pas vdekjes, thanë autoritetet./Nacionale

Lajme të ngjashme