Konflikti Tajlandë – Kamboxhia, rritet numri i të vrarëve - NACIONALE

Konflikti Tajlandë – Kamboxhia, rritet numri i të vrarëve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ushtria tajlandeze tha të enjten se konflikti i armatosur me forcat e Kamboxhias fqinje ka lënë nëntë civilë tajlandezë të vrarë në tri provinca. Fillimisht ishte raportuar për dy të vrarë.

Sipas ushtrisë, në mesin e të vrarëve ishte një djalë 8-vjeçar, shkruan gazeta “The Guardian”.

Përpos të vrarëve, 14 njerëz në Tajlandë raportohet të jenë lënduar si rezultat i luftimeve, thuhet më tej në deklaratën e ushtrisë tajlandeze.

Në anën tjetër, Kamboxhia të enjten e akuzoi Tajlandën për “agresion të paprovokuar ushtarak”. Ministria e Jashtme e këtij shteti tha se e dënon “me termet më të fuqishme të mundshme këtë akt të pamatur dhe armiqësor nga Tajlanda”.

Kina u bëri thirrje të enjten shtetasve të saj në Kamboxhia që t’i shmangin zonat afër kufirit me Tajlandën. “Ambasada kineze në Kamboxhia i këshillon qytetarët kinezë… që nga afër ta vëzhgojnë situatën lokale të sigurisë, të qëndrojnë vigjilentë, të ndërmarrin masa të shtuara dhe ta garantojnë sigurinë e tyre personale” – shkroi ambasada në një postim në internet.

Tajlanda tha se dërgoi një aeroplan luftarak të tipit F-16 për të sulmuar në Kamboxhia dhe ai shkatërroi një cak ushtarak. Ushtria tha se disa aeroplanë të tjerë ishin të gatshëm për t’u dislokuar.

Lajme të ngjashme