Konfirmon Kremlini: Erdogani të hënën në Rusi për takim me Putinin
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do ta presë të hënën në një takim në qytetin rus, Soçi, homologun turk, Rexhep Erdogan, ka konfirmuar Kremlini.
“Vërtet, bisedimet do të mbahen të hënën në Soçi”- u tha gazetarëve të premten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, raporton televizioni CNN.
Takimi do të mbahet në kohën e përpjekjeve të Ankarasë për ta bindur Moskën që ta rishqyrtojë tërheqjen nga marrëveshja për eksportimin e drithit.
Rusia u tërhoq nga kjo marrëveshje në korrik, gati një vit pas nënshkrimit të saj me ndërmjetësimin e Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara për garantimin e transportit të sigurt të drithit ukrainas nëpër Detin e Zi dhe lehtësimin e eksportimit të drithit dhe plehrave nga Rusia.
Pas takimit me homologun turk, ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, përsëriti të enjten se vendi i tij do të jetë i gatshëm për t’u bërë përsëri pjesë e marrëveshjes për drithin, porsa të shohë garanci që do të zbatohen përfitimet që i janë premtuar Rusisë.
Në një letër dërguar kryediplomatit rus, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha të enjten se ka paraqitur një grup të propozimeve konkrete për ringjalljen e marrëveshjes rreth eksportimit të drithit.
Marrëveshja për eksportimin e drithit ka qenë domethënëse për stabilizimin e tregjeve globale të ushqimit që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit të kaluar, sidomos për vendet më të varfra, që varen më shumë nga furnizimi me drithë nga rajoni i konfliktit.
