Konduktori i trenit në Gjermani vritet nga pasagjeri që s’kishte biletë
Një konduktor 36-vjeçar vdiq të mërkurën, pasi ishte sulmuar gjatë kontrollit të biletave në një tren rajonal në jugperëndim të Gjermanisë, tha zyra e prokurorit publik.
Sulmi ndodhi të hënën pasdite, kur konduktori po i kontrollonte biletat, sipas një deklarate të kësaj zyre. Pasi i dyshuari dështoi që të tregonte një biletë të vlefshme, konduktori kishte kërkuar që pasagjeri të tregonte ndonjë dokument identifikimi dhe të largohej nga treni. Viktima më pas u godit disa herë në kokë dhe më pas vdiq në spital, sipas agjencisë së lajmeve “Xinhua”.
I dyshuari, grek 26-vjeçar, u tha hetuesve se jeton në Luksemburg. Asnjë thikë apo mjet tjetër i rrezikshëm nuk u përdor në sulm, tha policia gjermane. Sipas rezultateve preliminare të autopsisë, viktima vdiq nga gjakderdhja në tru.
Hetime të mëtejme janë duke u zhvilluar për t’i përcaktuar rrethanat e sulmit dhe motivin e të dyshuarit, tha policia gjermane.
Të mërkurën pasdite, sindikata gjermane e hekurudhave, EVG, mbajti një minutë heshtje për viktimën dhe bëri thirrje për dyfishim të stafit në trenat rajonalë për ta përmirësuar sigurinë e punonjësve.