Komplot për të vrarë ushtarë me hanxharë, Gjermania arreston një 27-vjeçar
Një sirian i dyshuar 27-vjeçar me bindje radikale është arrestuar për shkak të një komploti për të vrarë ushtarë gjermanë me hanxharë në qytezën bavareze, Hof, thanë të premten prokurorët.
I akuzuari siguroi dy hanxharë të gjatë rreth 40 centimetra. Ai planifikoi që të sulmonte ushtarë në Hof, ku ata po e kalonin pushimin e drekës, dhe të vriste sa më shumë që do ta kishte të mundshme, thuhet në një deklaratë, raporton agjencia “Reuters”.
“Me aktin, i akuzuari donte që të tërhiqte vëmendje dhe të krijonte një ndjenjë të pasigurisë në mesin e popullsisë” – thuhet më tej.
Gjermania po i ashpërson kontrollet kufitare pas sulmeve vdekjeprurëse me thika, ku të dyshuarit ishin azilkërkues.
ISIS-i e ka marrë përgjegjësinë për një sulm me thikë në qytetin Solingen, ku në gusht u vranë tre persona.
Shqetësimet rreth imigrantëve dhe sigurisë janë ngritur shpejt në agjendë para zgjedhjeve në shtetin Brandenburg, ku partia e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), po del e fuqishme në sondazhe.