Kompanitë ajrore anulojnë e devijojnë fluturime për shkak të luftimeve Indi – Pakistan - NACIONALE

Kompanitë ajrore anulojnë e devijojnë fluturime për shkak të luftimeve Indi – Pakistan

1 vit më parë

nga NACIONALE

Disa kompani ajrore aziatike thanë të mërkurën se do të anulojnë ose do të devijojnë fluturime për në Evropë dhe nga Evropa për shkak të luftimeve mes Indisë dhe Pakistanit.

Më shumë se 20 fluturime ndërkombëtare u devijuan për ta shmangur hapësirën ajrore pakistaneze. Deri të mërkurën në mëngjes sipas kohës locale, kompanitë ajrore kishin anuluar 52 fluturime për në Pakistan ose nga Pakistani, sipas uebfaqes “FlightRadar24”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në kohën e sulmit të forcave indiane, në hapësirën ajrore të Pakistanit ishin duke u kryer 57 fluturime ndërkombëtare, sipas zëdhënësit të ushtrisë pakistaneze.

Pengesa pati edhe në fluturimet e brendshme në të dyja vendet. India mbylli disa aeroporte dhe, si rezultat, u anuluan fluturime të kompanive “Air India”, “IndiGo”, “SpiceJet” dhe “Akasa Air”. Vlera e aksioneve të kompanisë “IndiGo” ra për 1,8 për qind.

Në pamje të fluturimeve që paraqiten në uebfaqen për përcjelljen e tyre shihej se hapësira ajrore veriperëndimore e Indisë dhe tërë hapësira ajrore e Pakistanit pothuajse ishin të lira nga fluturimet civile, me përjashtim të disave.

Një zëdhënës i kompanisë ajrore holandeze, KLM, tha se kjo kompani nuk është duke realizuar fluturime mbi Pakistan deri në një njoftim të ardhshëm. Kompania “Singapore Airlines” tha se i ka ndërprerë fluturimet nëpër hapësirën ajrore të Pakistanit nga 6 maji.

Lajme të ngjashme