Kompania “FlyDubai” porosit 75 aeroplanë “Boeing 737 MAX” për 13 miliardë dollarë
Kompania ajrore “FlyDubai” tha të mërkurën se kishte porositur 75 aeroplanë shtesë të tipit “737 MAX” në një marrëveshje me vlerë të 13 miliardë dollarëve. Kompania “Emirates” ndërkohë bleu tetë aeroplanë “Airbus A350-900” me çmim prej 3,4 miliardë dollarësh.
Njoftimet erdhën pasi kompania “FlyDubai” më herët në panairin “Dubai Air Show” bleu 150 aeroplanë “Airbus A321neo” për 24 miliardë dollarë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
“Parashikimi i nevojave të së ardhmes është faktor përcaktues në suksesin e secilës kompani ajrore dhe njoftimi i sotëm e pasqyron zotimin tonë ndaj këtij parimi” – tha Sheikh Ahmed bin Saeed Al Maktoum, shef i kompanive “FlyDubai” dhe “Emirates”.
“FlyDubai” dhe “Boeing” e bënë njoftimin për marrëveshjen përmes deklaratave, pa konferenca për shtyp.
“Ne jemi krenarë që aeroplanët Boeing do të vazhdojnë që të shërbejnë si shtyllë e flotës strategjike dhe planeve të rritjes të FlyDubai” – tha Stephanie Pope, presidente dhe shefe ekzekutive e “Boeing Commercial Airplanes”.
Kompania “FlyDubai” bëri të ditur se e kishte opsionin që të porosisë edhe 75 aeroplanë të prodhuesit “Boeing” si pjesë e marrëveshjes.
Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait, më i ngarkuari në botë sa u përket fluturimeve ndërkombëtare, njoftoi se tashmë këtë vit ka pasur 70,1 milionë pasagjerë dhe është rrugës për ta thyer rekordin e vet përsëri./Nacionale