Kompania e lidhur me Gjermaninë ndihmoi prodhues të sanksionuar rusë - NACIONALE

Kompania e lidhur me Gjermaninë ndihmoi prodhues të sanksionuar rusë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pa pas futjes së forcave ruse në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, kompania për transportimin e mallrave, “Hellmann Worldwide Logistics”, e njoftoi stafin se biznesi i saj në Moskë do të tërhiqej nga Rusia. Disa persona që punonin për këtë kompani gjermane panë një mundësi.

Para luftës, zyra e “Hellmann”-it në Moskë kishte ndihmuar kompani industriale ruse që të dërgonin në Rusi pajisje e pjesë nga Perëndimi, por pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, dërgesa të tilla u kufizuan rëndë nga sanksionet ndërkombëtare. Në vend të kësaj, një kompani e regjistruar në Rusi, e quajtur “Heinrich Tapp Rus”(“HT Rus”) – në mesin e pronarëve të së cilës në atë kohë ishin të paktën dy punëtorë të kompanisë “Hellmann” – e morën nën kontroll raportin me shumë klientë të vjetër të “Hellmann”-it, raporton agjencia “Reuters”.

Në uebfaqen e kompanisë “HT Rus”, klientëve në Rusi u ofrohen “importe paralele” – term i përdorur gjerësisht për ta përshkruar transportimin e mallrave përmes vendeve të treta, si Turqia ose Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’i shmangur sanksionet perëndimore. Në materialin e saj të marketingut, kompania e përdori moton “realitet i ri – mundësi e re”.

Kjo kompani, e cila raportoi rreth 17,5 milionë dollarë të hyra vitin e kaluar, ka qenë duke punuar me klientë rusë, duke e përfshirë prodhuesin e limuzinave të presidentit rus, Vladimir Putin, “Aurus”, filialet e prodhuesit rus të kamionëve ushtarakë, “Kamaz”, dhe fabrikën e baterive “Tyumen”, furnizues i një prodhuesi të armëve, sipas dokumenteve ruse të taksave.

Agjencia “Reuters” nuk ishte në gjendje që të përcaktonte nëse kompania “HT Rus” ishte duke u ofruar shërbime të “importit paralel” atyre kompanive, sepse në dokumente të taksave nuk zbulohej natyra e shërbimeve të ofruara.

Prodhuesi “Kamaz” tha se të dhënat në dokumentet e taksave ose ishin të gabuara, ose ata nuk kishin njohuri për to, por nuk ofroi hollësi. Kompanitë “Aurus” dhe “Tyumen” nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Kompania “HT Rus” është njëra nga ndërmjetësueset e shumta që u ofrojnë klientëve ndihmë për t’i shmangur sanksionet perëndimore dhe për të përdorur dërgesa përmes vendeve të treta për të dërguar mallra industriale në Rusi.

Kompania “HT Rus” është në pronësi të një kompanie të regjistruar në Gjermani dhe ka një biznesmen gjerman si aksionar dhe, deri muajin e kaluar, kishte një tjetër gjerman në pozitën e drejtorit, sipas të dhënave të korporatave.

Sipas ligjeve të ShBA-së e BE-së që i trajtojnë sanksionet ndaj Rusisë, cilado kompani që bën biznes me një kompani ruse në listën e zezë ndërkombëtare, është duke i shkelur sanksionet. Nëse një kompani perëndimore dëshmohet se ka ndikuar në aktivitetin e goditjes së sanksioneve, kjo do të mund të rezultonte në sanksione ndaj vetë kompanisë – duke ia vështirësuar bërjen e biznesit – ose në ndjekje penale./Nacionale

Lajme të ngjashme