Komisioni Evropian propozon pako të përbashkët miliardëshe për industrinë e mbrojtjes
Komisioni Evropian të martën propozoi një program të ri për industrinë e mbrojtjes, me vlerë të 1,5 miliard eurove, që do të financohej nga buxheti i Bashkimit Evropian për periudhën 2025 – 2027.
Në programin e ri bëhet thirrje që 27 vendet e BE-së të blejnë të paktën 40 për qind të pajisjeve të tyre të mbrojtjes në mënyrë kolektive nga viti 2030, raporton agjencia “Reuters”.
“Për ta shtuar gatishmërinë evropiane industriale të mbrojtjes, shtetet anëtare duhet të investojnë më shumë, më mirë, së bashku dhe në Evropë” – thuhet në deklaratën e Komisionit Evropian.
Lufta e Rusisë në Ukrainë ka nxitur shumë shtete evropiane që t’i rrisin shpenzimet në fushën e mbrojtjes, edhe pse zyrtarë të BE-së kanë argumentuar se përpjekjet kombëtare janë më pak efikase dhe duan që organet e Bashkimit Evropian të luajnë rol më të madh në politikat e industrisë së mbrojtjes.
Komisioni Evropian gjithashtu synon që ta ndihmojë industrinë evropiane të mbrojtjes për t’u përgatitur më mirë për sfidat ekzistuese dhe potenciale, si rritja e papritur e kërkesës për sasi të mëdha të municionit të artilerisë.
Komisioni Evropian propozoi gjithashtu që të përdoret një pjesë e fitimeve që janë bërë nga asetet e ngrira ruse për t’i financuar blerjet e armëve për Ukrainën.