Komandanti ukrainas: Rusia po mundohet ta maksimizojë shterimin e trupave tona para ndihmave - NACIONALE

Komandanti ukrainas: Rusia po mundohet ta maksimizojë shterimin e trupave tona para ndihmave

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ukraina ka thënë se forcat ruse po i shpeshtojnë sulmet e tyre dhe po mundohen që të fitojnë më shumë territor para se ushtria ukrainase të pranojë më shumë ndihma ushtarake nga partnerët e huaj, përfshirë aeroplanët luftarakë të tipit F-16.

Komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrsky, tha: “Armiku është mirë i vetëdijshëm se si rezultat i pranimit gradual të një sasie domethënëse të armëve dhe pajisjeve ushtarake nga partnerët tanë dhe i arritjes së aeroplanëve të parë F-16, të cilët do ta forcojnë mbrojtjen tonë ajrore, koha do të jetë në favorin tonë dhe gjasat e tij për sukses do të zvogëlohen” – raporton gazeta “The Guardian”.

Në deklaratën e publikuar në rrjete sociale, Syrsky shtoi: “Prandaj, komanda e trupave ruse tash për tash është duke bërë çdo përpjekje për ta shtuar intensitetin dhe për ta zgjeruar gjeografinë e armiqësive me qëllim që të maksimizohet shterimi i trupave tona, të pengohet trajnimi i rezervave dhe të parandalohet kalimi në veprime aktive sulmuese.”

Sipas komandantit ukrainas, forcat ruse po e përqendrojnë fuqinë e zjarrit të tyre në rajonin e Donetskut, sidomos në frontin e Pokrovskit.

Forcat ruse atje po u afrohen një arterie kyçe transiti dhe një rruge që i lidh qendrat urbane në veri të territorit me qyteza që shtrihen më në jug.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha këtë fundjavë në samitin e paqes në Zvicrë se niveli i tanishëm i ndihmave ushtarake nga partnerët ende është i pamjaftueshëm dhe se asistenca po arrin vonë.

Ai u ka bërë thirrje aleatëve të huaj që ta përshpejtojnë dërgimin e dhjetëra aeroplanëve të premtuar luftarakë F-16 dhe ka kërkuar nga shtetet perëndimore që vendit të tij t’i dhurojnë më shumë bateri të mbrojtjes ajrore.

Lajme të ngjashme