Komandanti ukrainas thotë se ofensivat ruse të pranverës dhe verës kanë dështuar
Ofensivat e pranverës dhe verës të forcave ruse këtë vit kanë dështuar që t’i përmbushin qëllimet e tyre, sipas komandantit të ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, i cili shtoi se Rusia po shkrep dyfish më shumë artileri se Ukraina në fushën e betejës.
“Mund të thuhet se fushata pranverore dhe verore e rusëve praktikisht është frenuar” – tha Syrskyi para gazetarëve në një takim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Rusia ka qenë duke shënuar avancime të vogla në pjesë të ndryshme të vijës së frontit, pasi dislokimi në masë të madhe i dronëve sulmues dhe zbulues e ka parandaluar përparimin e shpejtë që forcat ruse e kishin bërë në vitin 2022.
Ukraina thotë se avancimet e vogla të rusëve po u kushtojnë shumë. Të dyja palët e konfliktit rrallë diskutojnë për pasojat në njerëz, por sipas disa vlerësimeve të inteligjencës perëndimore, numri i njerëzve të vrarë ose të plagosur në Ukrainë është mbi një milion.
Komandanti ukrainas tha se vija aktive e frontit tani është e gjatë 1.250 kilometra dhe se vlerësohet që 712.000 pjesëtarë të personelit ushtarak rus janë të përfshirë në luftime në Ukrainë.
Sipas tij, planet e Rusisë që të krijojë një “zonë neutrale” në rajonet Sumy dhe Kharkiv në veri dhe verilindje të Ukrainës, për ta marrë nën kontroll qytetin Pokrovsk dhe për ta kapur tërë rajonin e Donetskut kanë dështuar.
Kapja e tërë territorit të Donetskut është synim kyç i luftës për Rusinë, e cila tani për tani ka nën kontroll më shumë se 70 për qind të këtij rajoni.
Syrskyi tha se që nga fillimi i verës, rusët kanë sulmuar me taktikën që ai e quajti “një mijë prerje” – me numër të madh të sulmeve të vogla nga këmbësoria.
“Kjo [taktikë] përbëhet nga përdorimi i njëkohshëm i një numri të madh të grupeve të vogla sulmuese – katër deri në gjashtë ushtarë që avancojnë duke i përdorur terrenin, grykat dhe zonat e pyllëzuara, me qëllim kryesor depërtimin sa më të thellë të mundshëm në territorin tonë” – tha komandanti i ushtrisë ukrainase./Nacionale