Komandanti i ushtrisë së Ugandës thotë se dëshiron t’ia heqë kokën kreut të opozitës
Komandanti i ushtrisë ugandeze, i cili gjithashtu është i biri i presidentit me pushtet të gjatë, Yoweri Musevini, tha se dëshiron që t’ia presë kokën udhëheqësit më të njohur opozitar në vendin e tij, Bobi Wine.
Gjeneral Lejtënant Muhoozi Kainerugaba besohet gjerësisht se do ta trashëgojë pushtetin nga babi i tij, i cili e ka udhëhequr Ugandën që nga viti 1986. Kainerugaba në mënyrë rutinore publikon tekste nxitëse në rrjete sociale. Në vitin 2022, i kishte kërcënuar me pushtimin e Kenias, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Komandanti i ushtrisë më vonë kërkoi falje për atë kërcënim dhe thotë se disa shkrime të tij kanë prapavijë ironike.
Në një shkrim të publikuar të dielën në mbrëmje në rrjetin X, Kainerugaba tha se babai i tij, të cilit iu drejtua me emrin nderues Mzee, është personi i vetëm që e mbron udhëheqësin e opozitës nga ai.
“Nëse Mzee nuk do të ishte aty, do t’ia prisja kokën sot atij [udhëheqësit të opozitës” – shkroi Kainerugaba.
Bobi Wine, emri i ligjshëm i të cilit është Robert Kyagulanyi dhe i cili ka dalë i dyti në zgjedhjet presidenciale të vitit 2021, u kundërpërgjigj në rrjetin X, duke thënë se nuk e ka pranuar lehtë kërcënimin dhe se më parë janë shënuar disa përpjekje kundër jetës së tij.
Kainerugaba iu përgjigj: “Më në fund! A të zgjova? Para se të ta heq kokën, na i ripaguaj të hollat që t’i dhamë hua”, duke lënë të kuptohej se Qeveria në të kaluarën e kishte “blerë” Wine-n për ta minuar opozitën.
Zëdhënësit e Qeverisë dhe të komandantit të ushtrisë nuk ishin menjëherë të qasshëm për koment. Një zëdhënës i forcave të armatosura refuzoi të komentonte.
Aktivistët për të drejtat e njeriut e kanë akuzuar Qeverinë për abuzime të gjera të të drejtave të njeriut, përfshirë torturimin dhe ndalimin arbitrar.
Sidoqoftë, Qeveria në mënyrë të përsëritur i ka mohuar akuzat për abuzim të të drejtave të njeriut dhe mashtrim në zgjedhje./Nacionale