Komandanti i ri ukrainas synon ndryshime në udhëheqësinë e ushtrisë - NACIONALE

Komandanti i ri ukrainas synon ndryshime në udhëheqësinë e ushtrisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Gjeneral Oleksandr Syrskyi, ka dhënë shenjë se do të zëvendësojë disa udhëheqës ushtarakë në vijën lindore të frontit.

Syrskyi tha se pas tri ditësh punë, ishte bërë e qartë se pse disa brigade po arrinin që t’i sprapsnin sulmet ruse, ndërsa disa të tjera jo, raporton televizioni BBC.

Paralajmërimi i tij vjen pas tërheqjes së trupave ukrainase nga Avdivka – qytezë kyçe në lindje, që ishte rrethuar nga forcat ruse. Presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë se ky vendim është marrë për ta shpëtuar jetën e ushtarëve.

Këtë javë, ushtria ukrainase tha se ishte tërhequr edhe nga dy fshatra afër Avdivkës, duke humbur më shumë territor, përderisa armët dhe municioni nga Perëndimi po harxhohen.

Gjenerali Syrskyi tha se do t’i ndërrojë ata komandantë, urdhrat dhe veprimet e të cilëve e kanë rrezikuar jetën e ushtarëve të tyre.

Në rrjetin “Telegram”, ai shkroi: “Së pari, kjo varet nga komandanti i brigadës, niveli i tij i trajnimit, përvoja, aftësia për të marrë vendime të duhura dhe të baraspeshuara dhe marrja e përgjegjësisë së plotë për performancën e detyrave të ngarkuara dhe për jetën e shëndetin e vartësve të tij.”

“Pa dyshim, niveli i trajnimit dhe bashkërendimit të selisë qendrore të brigadës, përmes së cilës komandanti i ushtron kompetencat e tij, luan një rol të madh. Prandaj, unë kam dërguar grupe specialistësh në brigada individuale ku ka probleme me përgatitjen e selisë qendrore për ta transferuar përvojën dhe për të ofruar asistencë” – shtoi ai.

Megjithatë, Syrskyi vlerësoi lart disa brigada dhe premtoi – pasi i dëgjoi njësitet e vijës së frontit – për të ofruar rezerva, municion dhe ekspertizë për t’i mbështetur ato.

Komandanti këmbënguli se gjendja në vijën e frontit “mbetet e vështirë, por e kontrolluar”.

Lajme të ngjashme