Komandantët i thonë Putinit se Rusia e ka kapur qytezën Siversk në lindje të Ukrainës
Presidenti rus, Vladimir Putin, e falënderoi ushtrinë e vendit të vet të enjten, pasi komandantët i thanë se forcat e tyre e kishin marrë kontrollin e plotë të qytezës Siversk në lindje të Ukrainës, që ka qenë cak i Moskës për një kohë të gjatë.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Ukraina dhe agjencia e lajmeve “Reuters” nuk mundi ta vërtetonte pretendimin e rusëve në lidhje me situatën në fushën e betejës.
Komandantët i thanë Putinit se kapja e Siverskut, qytezë që para luftës kishte më shumë se 10 mijë banorë dhe që ndodhet në rajonin e Donetskut, është hap kyç drejt Slovianskut, njëri nga dy qytetet më të mëdha në Donetsk që janë ende nën kontrollin e ukrainasve.
Ata i thanë presidentit rus se Ukraina ishte munduar që ta mbronte Siverskun, të cilin rusët e quajnë Seversk, me llogore dhe fortifikata të ndryshme dhe se ushtria ruse kishte shënuar fitore përmes bllokimit të rrugëve logjistike, duke i çuar trupat anash pozicioneve të armikut dhe duke kryer sulme të shënjestruara.
“Ne kuptojmë se duke e krijuar këtë zonë të fortifikuar në rajonin e Severskut dhe në vetë qytetin, armiku shpresoi se ne do të ngujoheshim në sulmin ndaj këtij qyteti, rrjedhimisht duke e frenuar avancimin tonë” – tha Putini para komandantëve.
“Armiku dështoi, por ju shënuat sukses në gjithçka që planifikuat dhe në gjithçka që caktuat për ta bërë. Përgëzime” – shtoi ai.