Kolumbia e akuzon Perunë për aneksim të plotë të një ishulli të kontestuar në Amazonë - NACIONALE

Kolumbia e akuzon Perunë për aneksim të plotë të një ishulli të kontestuar në Amazonë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, të martën ringjalli një kundërthënie kufitare të vjetër me dekada me Perunë, kur e akuzoi fqinjin Peru për aneksimin e plotë të një ishulli në Lumin Amazona që është administruar me dekada nga Peruja, por statusi ligjor i të cilit është i kontestuar.

Peruja thotë se ishulli Santa Rosa i përket atij duke u mbështetur në traktate që janë rreth një shekull të vjetra, por Kolumbia e konteston këtë pronësi, sepse ishulli ende nuk ishte shfaqur mbi lumë në atë kohë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Në një shkrim në rrjetin X, Petro tha se Peruja veproi “në mënyrë të njëanshme” në qershor, kur Kongresi i këtij shteti miratoi një ligj që e përditësoi statusin ligjor të Santa Rosas përmes shndërrimit të tij në një distrikt brenda provincës Loreto.

Ishulli ndodhet përballë qytetit Leticia të Kolumbisë me rreth 60 mijë banorë, që ndodhet në njërën nga pjesët më të ruajtura të Amazonës. Ai përdoret nga shumë turistë si pikënisje për udhëtime nëpër lumin e famshëm.

“Qeveria peruane porsa e përvetësoi atë me ligj” – shkroi Petro në rrjetin X, duke shtuar se veprimet e Perusë do të mund ta bllokonin qasjen e qytetit Leticia në Lumin Amazonë. “Qeveria jonë do ta zgjedhë diplomacinë për ta mbrojtur sigurinë tonë kombëtare” – shtoi ai.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Perusë tha në një deklaratë se traktatet e nënshkruara nga të dyja vendet më 1922 dhe 1929 ia kanë dhënë Perusë kontrollin e Santa Rosas dhe ishujve të tjerë të vegjël përreth tij.

“Peruja është duke i respektuar prerazi detyrimet e veta sipas së drejtës ndërkombëtare dhe traktateve dypalëshe të vlefshme” – tha kjo ministri në një deklaratë.

Sidoqoftë, Kolumbia thotë se traktatet nuk kanë mundur ta caktojnë pronësinë e Santa Rosas, sepse në vitet e njëzeta ishulli ende nuk ishte shfaqur mbi lumin më të madh në botë. Në vend të kësaj, Kolumbia thotë se traktatet përcaktojnë se kufiri mes dy shteteve duhet të caktohet përgjatë një vije që i ndjek pikat më të thella përgjatë lumit.

Si shumë lumenj, edhe Amazona e ndryshon rrjedhën ngadalë me kalimin e kohës dhe erozioni ose ndryshimet e motit mund të krijojnë ose të fundosin ishuj.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kolumbisë tha të martën se “me vite” ka këmbëngulur për nevojën e themelimit të një komisioni dypalësh që do ta caktonte pronësinë e ishujve që janë shfaqur mes dy vendeve në shekullin e fundit./Nacionale

Lajme të ngjashme