Kishida i Japonisë thotë se do të japë dorëheqje - NACIONALE

Kishida i Japonisë thotë se do të japë dorëheqje

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, ka thënë se do të japë dorëheqje muajin e ardhshëm, duke i dhënë fund një mandati 3-vjeçar të njollosur nga skandalet politike dhe duke i hapur rrugën një udhëheqësi të ri për ta adresuar ndikimin e çmimeve në rritje.

“Politika nuk mund të funksionojë pas besimin e publikut” – tha Kishida në një konferencë për gazetarë të mërkurën, kur njoftoi për vendimin e tij që të mos e synojë rizgjedhjen në krye të Partisë Demokratike Liberale (LDP), raporton agjencia “Reuters”.

“Unë tani do të përqendrohem në mbështetjen e kryetarit të ri të LDP-së si anëtar i partisë” – shtoi ai.

Vendimi i tij për t’u tërhequr nga pushteti nxit një garë për ta zëvendësuar edhe si kryetar i partisë si dhe si udhëheqës i ekonomisë së katërt më të madhe në botë.

Përkrahja publike për Kishidën ka qenë në rënie pas zbulimit të lidhjeve të partisë së tij me Kishën kundërthënëse të Unifikimit dhe donacioneve politike të bëra në ngjarje për grumbullimin e fondeve për partinë, që nuk ishin të regjistruara.

Ai gjithashtu është ballafaquar me pakënaqësi të publikut për dështim që t’i mbajë pagat në nivel me ngritjen e kostos së jetesës.

Kushdo që e pason Kishidën në krye të LDP-së do të jetë i detyruar që të bashkojë një grup politik të përçarë dhe t’i trajtojë rritjen e kostos së jetesës, tensionet e eskaluara politike me Kinën dhe rikthimin e mundshëm të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë në ShBA.

Largimi i Kishidës mund të nënkuptojë kushte më të rrepta fiskale dhe monetare, varësisht nga kandidati, sipas Shoki Omori-t, strateg në kompaninë “Mizuho Securities” në Tokio./Nacionale

Lajme të ngjashme