Kina thotë se ShBA-ja “e ka shkelur rëndë” paktin për uljen e taksave - NACIONALE

Kina thotë se ShBA-ja “e ka shkelur rëndë” paktin për uljen e taksave

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kina ka thënë se Shtetet e Bashkuara “e kanë shkelur rëndë” marrëveshjen tregtare mes dy vendeve dhe se do të ndërmarrë masa të forta për t’i mbrojtur interesat e veta.

Ministria e Tregtisë e Kinës tha se Uashingtoni “e ka minuar seriozisht” marrëveshjen e arritur gjatë bisedimeve në Gjenevë muajin e kaluar, kur të dyja vendet i ulën taksat ndaj mallrave të importuara nga njëra-tjetra, raporton televizioni BBC.

Një zëdhënës i kësaj ministrie tha, gjithashtu, se veprimet e Shteteve të Bashkuara e kanë shkelur rëndë konsensusin e arritur gjatë një bisede telefonike në janar mes dy presidentëve, Xi Jinping e Donald Trump.

Të premten, presidenti amerikan tha se Kina “e shkeli tërësisht marrëveshjen e saj me ne”. Kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk dha hollësi, por përfaqësuesi tregtar, Jamieson Greer, tha se Kina nuk ishte duke i hequr pengesat që nuk lidhen me taksat, sipas marrëveshjes së arritur.

Sipas paktit tregtar të arritur muajin e kaluar në një takim në Gjenevë, Shtetet e Bashkuara i ulën taksat ndaj mallrave të importuara nga Kina nga 145 në 30 për qind, ndërsa Kina i uli taksat hakmarrëse ndaj mallrave amerikane nga 125 në 10 për qind.

Të hënën, Pekini tha se në mesin e shkeljeve të bëra nga Shtetet e Bashkuara përfshihen ndërprerja e shitjeve të softuerëve për dizajnimin e çipave kompjuterikë te kompanitë kineze, paralajmërimi kundër përdorimit të çipave të prodhuar nga gjiganti kinez i teknologjisë “Huawei” dhe anulimi i vizave për studentët kinezë.

Marrëveshja e arritur në Gjenevë ishte e befasishme për shumë analistë, sepse dukej sikur dy palët ishin shumë larg me qëndrime mbi shumë çështje që lidhen me tregtinë.

Edhe pse akuzat e reja mund të lënë të kuptohet që bisedimet mes Uashingtonit e Pekinit nuk janë duke shkuar mirë, dy zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë paralajmëruan të dielën se Trumpi dhe Jinpingu mund të zhvillojnë bisedime së shpejti./Nacionale

Lajme të ngjashme