Kina, Tajvanit: "Do të vijmë e do t’ju marrim, herët a vonë"
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Kinës, Wu Qian, e ka paralajmëruar Tajvanin se “ne do të vijmë e do t’ju marrim, herët a vonë”, pasi Taipei njoftoi një zgjerim të ushtrimeve ushtarake.
Qiani u pyet nga gazetarët në Pekin rreth raportimeve se ushtrimet vjetore me zjarr të vërtetë armësh të Tajvanit, më saktësisht ushtrimi “Han Kuang”, do të zgjerohet këtë vit. Këto ushtrime janë pjesë e madhe e përgatitjeve të Tajvanit për mbrojtje që të frenohet ose një ditë t’i rezistohet një sulmi nga Kina, e cila është zotuar për aneksimin e këtij territori, raporton gazeta “The Guardian”.
“Është një llogaritje e gabuar serioze e situatës, e opinionit publik dhe e krahasimit të fuqisë” – tha Wu. “Tejshtrirja e vetes në një mënyrë të tillë është tepër e rrezikshme. Ne i paralajmërojmë autoritetet e DPP-së [Partia Progresive Demokratike] që mbajtja e baticës me një fshesë vetëm se do të përfundojë në vetëshkatërrim. Ne do të vijmë e do t’ju marrim ju, herët a vonë.” – shtoi ai.
Si reagim ndaj komenteve të zëdhënësit kinez dhe si kritikë e mëtejme ndaj ushtrimeve të ushtrisë kineze të zhvilluara rishtazi afër bregdetit jugperëndimor të Tajvanit, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit e akuzoi Kinën se po bëhet “ngatërrestarja” më e madhe në komunitetin ndërkombëtar.
“Ky vit e shënon përvjetorin e 80-të të (përfundimit të) Luftës së Dytë Botërore dhe historia ka dëshmuar se çfarëdo forme e agresionit dhe e zgjerimit do të përfundojë në dështim” – thuhet në një deklaratë të kësaj ministrie.
“Veprimet e ushtrisë komuniste viteve të fundit janë duke i përsëritur gabimet e pushtuesve dhe janë duke e shtyrë Kinën drejt mposhtjes” – tha më tej Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit, përcjell gazeta "Nacionale".
Ushtria kineze po i vazhdon përpjekjet për modernizim, të hartuara për ta arritur aftësinë për një pushtim të shkallës së plotë të Tajvanit. Javën e kaluar, ajo amendamentoi rregullore për të theksuar se përgjegjësia kryesore e ushtrisë duhet të jetë “fitimi i betejave” dhe forcat e armatosura u urdhëruan që “të përqendrohen në përgatitje dhe gatishmëri për luftime”.
Tajvani është duke i fuqizuar kapacitetet e mbrojtjes, por mbetet dukshëm larg Kinës. Përkrahësja më e madhe historike e ishullit ka qenë ShBA-ja, por kjo është vënë në pikëpyetje nën mandatin e dytë të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Këtë javë, Trumpi refuzoi të tregonte nëse ShBA-ja do t’i dilte në mbrojtje Tajvanit ushtarakisht në rast të një sulmi nga Kina. Ky qëndrim është në vijë me doktrinën e vjetër të ShBA-së për paqartësi strategjike, por distancim nga pozicioni i paraardhësit të Trumpit, Joe Biden, i cili disa herë kishte lënë të kuptohej se ShBA-ja do ta mbronte Tajvanin nën udhëheqjen e tij./Nacionale/Nasuf Abdyli