Kina po i ofron ankorim anijes së lidhur me transferimin e armëve mes Rusisë e Koresë Veriore - NACIONALE

Kina po i ofron ankorim anijes së lidhur me transferimin e armëve mes Rusisë e Koresë Veriore

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kina është duke i ofruar ankorim një anije ruse të mallrave të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara e të përfshirë në dërgimin e armëve nga Koreja Veriore në Rusi, sipas pamjeve satelitore të siguruara nga agjencia “Reuters”, përderisa po shtohet shqetësimi i amerikanëve për mbështetjen e Pekinit për luftën e Moskës në Ukrainë.

Instituti i Bashkuar Mbretëror i Shërbimeve, organizatë britanike, tha se anija ruse “Angara”, me të cilën nga gushti i vitit 2023 në porte ruse janë dërguar mijëra kontejnerë që besohet se përmbanin municion nga Koreja Veriore, është ankoruar nga shkurti në një kantier detar kinez në provincën lindore kineze, Zhejiang, raporton agjencia “Reuters”.

Prania e anijes ruse në portin kinez i nënvizon sfidat me të cilat po ballafaqohen Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, përderisa po mundohen që ta pengojnë përkrahjen ushtarake dhe ekonomike për Rusinë.

Përderisa Ukraina po ballafaqohet me sulm të përtërirë nga Rusia dhe po vuan nga mungesa e municionit, zyrtarë amerikanë kanë lëshuar paralajmërime gjithnjë më të qarta për atë që ata thonë se është ndihmë nga Kina për rindërtimin e ushtrisë ruse pas humbjeve të saj të hershme në luftën e Ukrainës.

Kjo mbështetje pritet që të jetë në krye të agjendës së diskutimeve këtë javë gjatë vizitës së sekretarit të Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken, në Pekin.

Nënsekretari i Shtetit i ShBA-së, Kurt Campbell, tha këtë muaj se Uashingtoni nuk do të qëndrojë duarkryq, nëse Pekini e shton mbështetjen për Moskën.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se ky institucion është i vetëdijshëm për “raporte të besueshme, me burim të hapur” se anija “Angara” tash për tash është e ankoruar në një port kinez dhe se çështjen e ka ngritur me autoritetet kineze.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve anëtare që t’i përmbushin detyrimet e tyre nën [rezolutën] 2397 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së” – tha zëdhënësi amerikan. Me këtë rezolutë kufizohet tregtia me Korenë Veriore dhe u kërkohet vendeve anëtare të OKB-së që ta çregjistrojnë secilën anije të përfshirë në veprime të paligjshme.

Lajme të ngjashme