Kina nis ushtrime “ndëshkimi” përreth Tajvanit pas inaugurimit të presidentit të ri - NACIONALE

Kina nis ushtrime “ndëshkimi” përreth Tajvanit pas inaugurimit të presidentit të ri

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kina ka nisur ushtrime ushtarake dyditore përreth Tajvanit si “ndëshkim” për ato që i quajti “akte separatist” të mbajtjes së zgjedhjeve dhe inaugurimit të një presidenti të ri.

Mediat shtetërore kineze pretenduan se dhjetëra aeroplanë luftarakë të ushtrisë së Kinës, që po bartnin raketa të vërteta, kishin kryer sulme të simuluara kundër “caqeve ushtarake me vlerë të lartë”, duke operuar krahas forcave detare e raketore, raporton gazeta “The Guardian”.

Në pamje propagandistike që po shpërndahen në internet dhe po ripublikohen nga mediat shtetërore, po përmenden edhe raketat balistike të tipit “Dongfeng”, por nuk u tha nëse ato po përdoreshin në ushtrime apo jo.

Duke reaguar për këto ushtrime, Tajvani e akuzoi Kinën për “provokim joracional dhe pengim të paqes e stabilitetit rajonal”. Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se forcat detare, ajrore dhe tokësore janë vënë në gjendje vigjilence, siguria bazë është përforcuar dhe mbrojtja ajrore e forcat raketore janë urdhëruar që të vëzhgojnë caqe të mundshme.

Mediat shtetërore kineze raportuan të enjten në mëngjes së ushtrimet e quajtura “Shpata e Përbashkët – 2024A” do të përfshijnë njësi nga ushtria, forcat detare, forcat ajrore dhe forcat raketore, duke operuar në Ngushticën e Tajvanit, në veri, jug dhe lindje të ishullit kryesor. Këto njësi do të veprojnë edhe përreth ishujve Kinmen, Matsu, Wuqiu dhe Dongyin, që ndodhen afër territorit kryesor të Kinës.

Li Xi, zëdhënës i ushtrisë kineze, tha se këto ushtrime “do të shërbejnë si ndëshkim i fortë për aktet separatiste të forcave të “pavarësisë së Tajvanit” dhe si paralajmërim i ashpër kundër ndërhyrjes dhe provokimit nga forca të jashtme”, raporton agjencia shtetërore kineze e lajmeve, “Xinhua”.

Lajme të ngjashme