Kina e denoncon ShBA-në në OBT për taksat e reja të Trumpit - NACIONALE

Kina e denoncon ShBA-në në OBT për taksat e reja të Trumpit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kina dorëzoi të mërkurën një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) kundër taksës së re prej 10 për qind të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj importeve kineze dhe kundër anulimit të një përjashtimi nga taksa për pakot me vlerë të ulët, duke argumentuar se këto veprime janë “proteksioniste” dhe i shkelin rregullat e OBT-së.

Kërkesa e Pekinit për konsultime tregtare me ShBA-në erdhi në kohën e hutisë në mesin e transportuesve dhe shitësve me pakicë rreth anulimit të përjashtimit “de minimis” nga taksa për pakot e importuara me vlerë më të ulët se 800 dollarë, që përdorej gjerësisht nga kompanitë e tregtisë në internet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

OBT-ja tha se Kina dorëzoi njër kërkesë për konsultime me ShBA-në rreth taksave. Kina argumenton në dokument se taksat e reja të Trumpit me qëllim të ndërprerjes së rrjedhës së fentanilit dhe përbërësve të tij në ShBA “janë vendosur mbi bazën e akuzave pa themel dhe të rreme në lidhje me Kinën”.

Më tej, Kina tha se këto taksa janë diskriminuese, vlejnë vetëm për mallrat me prejardhje kineze dhe nuk janë në përputhje me detyrimet e Shteteve të Bashkuara ndaj OBT-së.

Kërkesa për konsultime është fillimi i një procesi të ballafaqimit që mund të çojë në një vendim se taksat e Trumpit i shkelin rregullat tregtare në mënyrën e njëjtë si një vendim i OBT-së i vitit 2020, kur ishte vlerësuar taksat e Trumpit ndaj Kinës në mandatin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë përbënin shkelje të rregullave.

Sidoqoftë, një fitore e tillë ka pak gjasa se do t’i sillte lehtësim Pekinit, sepse Organi i Apelit i OBT-së ka qenë kryesisht jashtë operimit me vite, pasi Shtetet e Bashkuara e kanë bllokuar emërimin e gjykatësve të apelit për shkak të asaj që e vlerësojnë si shtrirje tepër të gjerë juridike nga ky organ. Një gjë e tillë e ka pamundësuar marrjen e një vendimi përfundimtar për rastin e vitit 2020./Nacionale

Lajme të ngjashme