Kimi i Koresë i buzëqeshur e mbikëqyr testimin e “dronëve vetëvrasës”
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, po shikonte përderisa “dronët e rinj vetëvrasës” shkatërruan caqe testuese, përfshirë një tank simulues, dhe u bëri thirrje hulumtuesve që të zhvillonin inteligjencë artificiale për automjetet pa pilotë, raportuan të hënën mediat shtetërore.
Kimi të shtunën e vizitoi Institutin e Dronëve të Akademisë së Shkencave të Mbrojtjes dhe e shikoi testimin e suksesshëm të dronëve që në mënyrë të saktë i identifikuan dhe i shkatërruan caqet e caktuara pas fluturimit përgjatë rrugëve të ndryshme të paracaktuara, tha agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA, përcjell agjencia “Reuters”.
Kimi bëri thirrje që prodhimi i më shumë dronëve vetëvrasës të shfrytëzohej në këmbësori taktike dhe në njësitet e operacioneve speciale, si dronët vetëvrasës për sulme nënujore, si dhe për zbulime strategjike dhe dronët sulmues me qëllime të shumëfishta, shtoi KCNA-ja.
Të njohura edhe si municione endacake, armë të tilla janë përdorur gjerësisht në luftën e Ukrainës si dhe në Lindje të Mesme. Municionet endacake në mënyrë tipike mund të jenë në ajër dhe të gatshme për të sulmuar para se një cak specifik të jetë lokalizuar, pastaj të sulmojnë duke u përplasur me cakun me një kokë shpërthyese brenda objektit.
Kur u pyet për ngjashmëritë në dukje mes disa dronëve të Koresë së Veriut dhe dronëve “ZALA Lancet” të Rusisë dhe dronëve “Shahed” të Iranit, që gjithashtu përdoren nga Rusia, Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut tha se nevojiten më shumë analiza.
Në një fotografi të publikuar nga agjencia KCNA, Kimi shihet i veshur me rroba të bardha, duke buzëqeshur dhe i rrethuar nga disa zyrtarë, ndërsa mbi tavolinë ka dy palë dylbi.